Brazil, 4 korrik 2014 – Brazili dhe Argjentina do të përplasen me njëra-tjetrën me 13 korrik në legjendarin “Marakana”, në një finale ëndrrash për Botërorin 2014. Ky është projeksioni që specialistët e kompanisë së njohur të statistikave financiare, “Bloomberg”, kanë bërë duke u bazuar në të dhënat e tyre statistikore dhe progresin e skuadrave deri në çerekfinalet e turneut. Në bazë të një programi kompjuterik statistikor të ndërtuar posaçërisht për Kupën e Botës, ata kanë dhënë parashikimin e tyre për turneun në fjalë, duke simuluar 100 mijë herë secilën prej ndeshjeve të turneut.

“Bloomberg” kishte bërë parashikimin e vet që para fillimit të turneut, duke përllogaritur një sfidë finale mes Brazilit dhe Spanjës, me “seleçaon” që do të festonte titullin e gjashtë para  publikut të vet pas suksesit 1-0. Një parashikim i tillë statistikor u hodh poshtë nga eliminimi i papritur i kampionëve në fuqi në fazën në grupe, duke i hapur rrugë skenarit të dytë më të mundshëm statistikor, finales Brazil-Argjentinë, në të cilën skuadra e Skolarit fiton po me rezultatin e ngushtë 1-0.

Sipas “Bloomberg”, që përditëson të dhënat e saj pas secilës ndeshje të luajtur, Brazili ka aktualisht 27.68% mundësi që të shpallet Kampion Bote. Por kjo nuk është një rritje e ndjeshme për “seleçaon”, që në fillimin e turneut vlerësohej me 22.1% mundësi fitoreje. Pengesa më e madhe e brazilianëve vlerësohet të jetë Gjermania, kundërshtari më i mundshëm i gjysmëfinaleve, e cila ka aktualisht 20.08% mundësi për t’u shpallur kampion, nga 12% që kishte në fillimin e turneut. Më pas vjen Argjentina, që ka 18.98% mundësi fitoreje, në ndryshim nga 11.4% që parashikohej në fillimin e Botërorit. Këto rritje të përqindjeve të ekipeve të mësipërme vijnë pikërisht nga eliminimi i skuadrave si Spanja, Anglia e Italia që kuotoheshin respektivisht me 9.2%, 3.4% dhe 2.9% për fitoren e Botërorit.

Ndonëse në parashikimin fillestar të bërë që në maj për fazën e 1/16, ekspertët e “Bloomberg” kanë gjetur saktësisht vetëm një ndeshje, atë mes Argjentinës dhe Zvicrës, ata që atëherë kanë qenë shumë më të saktë për fazën çerekfinale, duke parashikuar sfidat Brazil-Kolumbi, Francë-Gjermani dhe Argjentinë-Belgjikë. Sipas tyre, sfida tjetër çerekfinale duhej të ishte Spanjë-Itali, ndërsa aktualisht ajo është Holandë-Kosta Rikë.

Në bazë të parashikimeve të reja, të bazuara edhe në statistikat e dhuruara nga skuadrat në këto ndeshje të Botërorit, “Bloomberg” mendon se gjysmëfinalet do përbëhen nga katër skuadra të njohura në arenën ndërkombëtare: Brazil-Gjermani dhe Holandë-Argjentinë. Ndeshja mes Brazilit dhe Gjermanisë pritet të jetë më e “paparashikueshmja dhe e balancuara” e këtij Botërori qoftë edhe për këta ekspertë të shifrave, pasi skuadrat ndahen nga shumë pak diferencë mes njëra-tjetrës. Ndërkohë, Argjentina duket shumë më e favorizuar përballë Holandës, me një diferencë mes ekipeve që çuditërisht vlerësohet më e madhe se ajo ndaj Belgjikës me të cilën Mesi & Co. ndeshen në çerekfinale.

Megjithatë, ekspertët e “Bloomberg” kanë paralajmëruar se futbolli nuk është si shumë sporte të tjera ku statistikat dominojnë. Këta e vërtetojnë nëpërmjet pranisë në çerekfinale të Kosta Rikës, skuadër që sipas tyre nuk duhej të kishte marrë asnjë pikë në Grupin D, e aq më shumë, nuk pritej kurrsesi të kualifikohej në çerekfinale me penallti përballë Greqisë.

 

Projeksionet e “Bloomberg”

Ekipi      Gjysmëfinale    Finale     Kampion

Brazili    71.40%     43.94%     27.68%

Gjermania  69.30%     34.85%     20.08%

Argjentina 58.20%     37.93%     18.98%

Holanda    85.30%     36.60%     14.59%

Belgjika   41.80%     23.88%     10.09%

Kolumbia   28.60%     11.36%     4.71%

Franca     30.80%     9.89% 3.79%

Kosta Rika 14.70%     1.64% 0.16%

  

Çerekfinalet

Ndeshja    Kualifikimi

Brazil-Kolumbi  71%-29%

Francë-Gjermani 31%-69%

Holandë-Kosta Rika   85%-15%

Argjentinë-Belgjikë  58%-42%

 

Gjysmëfinalet e mundshme

Ndeshja    Kualifikimi

Brazil-Gjermani 56%-44%

Holandë-Argjentinë   39%-61%

 

Finalja e mundshme

Ndeshja    Fituesi

Brazil-Argjentinë    57%-43%