Durrës, 4 korrik 2014 – Ekipi i Teutës, pas disa ditësh grumbullimi dhe përgatitje në Durrës, do të udhëtojë drejt Austrisë për të zhvilluar atje një pjesë të fazës përgatitore. Drejtues të klubit bregdetar konfirmojnë se tashmë është bërë çdo gjë gati dhe në datën 11 korrik ekipi do të niset drejt Austrisë. Durrsakët do të qëndrojnë aty rreth 10 ditë ku do kenë mundësi të stërviten në kushte komode.
Klubi ka organizuar çdo gjë në mënyrë që kjo periudhë të shfrytëzohet maksimalisht. Jo pa qëllim është zgjedhur një vend si Austria, e cila ofron gjithçka për një fazë të shkurtër përgatitore. Drejtuesit e klubit pohojnë se kishin disa mundësi që po i shqyrtonin prej kohësh dhe në fund preferuan Austrinë.
Përgjatë kësaj periudhe, “djemtë e detit” përveçse do të stërviten, do të zhvillojnë edhe tri ndeshje miqësore. Është parashikuar që në datën 13 korrik, në orën 17:00, ekipi të përballet me rumunët e Fc Botosanit. Më pas në ditët në vijim do të luhen edhe dy miqësore të tjera me ekipe me emër.
Kështu më datë 16, në orën 15:00, Teuta do të luajë me rusët e Lokomotivës së Moskës. Ndërsa serinë e ndeshjeve miqësore do ta mbyllë me përballjen e datës 19, në orën 19:00 ndaj Kardifit. Kujtojmë që kjo e fundit ka qenë pjesë e Premier Ligës angleze. Pritet që para nisjes për në fazën përgatitore ekipit t’i shtohen edhe lojtarë të tjerë me të cilët klubi është në bisedime të vazhdueshme.
Një pjesë e tyre mund të firmosin direkt, ndërsa një pjesë tjetër duhet ta kalojnë fillimisht provën.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





