Nga Fatmira Nikolli

Një vëzhgim syri ekspert mbi Durrësin na tregon rëndësinë e peizazhit historik duke parë imazhin e qëndrueshëm dhe identitetin. Arkitektja Johana Klemo, ka bërë një studim mbi qendrën historike të Durrësit dhe më konkretisht ka parë rrugën tregtare si një trashëgimi të periudhës italiane.

"Flasim për qendër historike, por çfarë ka mbetur historike në të? Nëpërmjet foto-filmit kalojmë në mënyrë të përqendruar tek periudhat që kanë shënjuar tramën tonë urbane dhe imazhet që ato na kanë trashëguar. Përgjatë ekzistencës së tij qyteti ka marrë formë nga filozofia urbane e sunduesve", – thotë studiuesja. 

E nis studimin me periudhën helene, që është më e hershmja e që shënjon dhe themelimin e qytetit nga kolonizuesit e Korinthit, rreth vitit 627 p.e.s.

"Përpos gjetjeve të shumta arkeologjike, është e vështirë të dokumentohet ndonjë strukturë në shkallë urbane që prodhon sot një input në memorien tonë për këtë periudhë. Krejtësisht e kundërta ndodh me trashëgiminë romake; ajo është e dukshme, e prekshme dhe e paharrueshme", – vëren Klemo.

Sipas saj, imazhi i Amfiteatrit romak tregon, ashtu si në shumë qytete romake, për ndërtimin e strukturave kryesore sociale dhe urbane, si; forumi romak, termat, akuadukte, biblioteka, hipodromi dhe amfiteatri.

"Një dëshmi e qartë e rrjetit rrugor hipodamik me Cardo dhe Decumanus (karakteristike për qytetet romake veri-jug dhe lindje-perëndim) u zbulua në vitin 2010, në punimet e gërmimit të një pallati në zonën e ish-Lulishtes 1 Maji, por ky kuadër historik humbi në momentin që vazhdoi ndërtimi i godinës", – shënon arkitektja, duke na rikthyer në vëmendje atë që humbëm në një mënyrë pothuaj të pabesueshme. 

Më tej, i hedhim sytë gjatë periudhës pasuese bizantine. Karakteri i qytetit të kësaj periudhe ishte më së shumti një vazhdim i qytetit romak.

"Ndryshimet e ndodhura nuk kanë ndikuar në strukturën urbane në vetvete, si për shembull në rrjetin rrugor, sistemin e kanalizimeve; ato kanë ndikuar në përdorimin e hapësirës dhe objekteve publike brenda zonës urbane. Ajo që e ndryshoi fokusin urban ishte ardhja e krishterimit. Funksione të reja fetare u janë shtuar strukturave të vjetra. Një shembull i kësaj është Kapela kristiane (ndërtuar brenda amfiteatrit në gjysmën e parë të shek V"), – vëren studiuesja Klemo, ndërsa thekson se imazhi kyç i peizazhit tonë trashëguar në ditët e sotme, është muri bizantin me kullat e tij pesëkëndore, rindërtuar në kohën e Anastasit I.

Gjatë prezantimit të studimit të saj në konferencën e mbajtur nga Shoqata e Arkitektëve për "Planifikimin urban dhe peizazhin historik të qytetit", Klemo u shpreh se fortifikimi bizantin është një dëshmi e përdorimit të strukturave të gjetura, të ruajtjes dhe adaptimit të tyre. Dy torret veneciane të ndodhura në këtë mur, janë shtuar më vonë e këtë e dallojmë në llojin e ndërtimit dhe materialin e gurit të bardhë kuadratik. 
 

Otomanët 

Në periudhën pasardhëse, atë otomane (1501-1912), qyteti i përdorte fortifikimet (e mëhershme bizantine) duke shtuar të tjera akoma për të mbyllur rrethimin mbrojtës.

"Komunikimi me hapësirën përtej, bëhej nëpërmjet dy portave kryesore, porta e madhe në veri dhe porta e Jallisë në jug. Durrësi u pushtua më 1501-shin nga Perandoria Osmane dhe gjatë gati pesë shekujsh të sundimit, qyteti i nënshtrohet një procesi tkurrjeje, duke numëruar 200 shtëpi brenda mureve. Jeta e qytetit zhvillohej kryesisht brenda mureve. Struktura e rrugëve osmane është e parregullt, e ngushtë e tipit cul-de-sac dhe vështirë se ofron mundësi për të lexuar planin e saj", – vëren Klemo. 

Ajo veçon se hapësira kryesore publike ishte pazari, i cili gjarpëronte mes volumesh të ngjeshura 1 – 3-katëshe, me çati të dala përpara.

"Nisur nga literatura dhe fotot e vjetra, karakteri i traditës lindore u artikulua në një prodhim të varfër dekorativ deri rreth viteve 1900, ku i jepet një rëndësi më shumë fasadës, duke e pasuruar me friza, korniza, elemente të ndryshme dekorative. Në këtë periudhë, zor se mund të flasim për sheshe, për hapësira të gjëra publike të mirëpërcaktuara", – thotë arkitektja, duke na kujtuar më poshtë, se ajo çfarë ruajmë sot nga periudha e gjatë dhe relativisht e afërt është shumë pak, shumë pak nga ajo që ishte dikur Lagjja Kala.

Hapësira ndërmjet objekteve mund të jetë ruajtur, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë tjetërsuar ose zëvendësuar sipas kërkesave të reja të tregut.

"Elementë të veçantë, si hamami, pothuajse i padukshëm sot në organizimin urban, xhamia Fatih, shtëpia e Aleksandër Moisiut, sot Muzeu Etnografik, dhe të tjera banesa me elementin kompozicional vendas, atë të çardakut, janë sporadike tashmë", – nënvizon arkitektja. 
 

"Epoka italiane"

Një periudhë e begatë, mund të quhet ajo që mund ta cilësojmë si epoka italiane. Fundi i Luftës së Parë Botërore, tërmeti i vitit 1926, filozofia urbane fashiste, shënjuan ndryshime të rëndësishme në peizazhin historik. Në fakt, fokusi i studimit të saj ka qenë periudha e mbretërisë shqiptare dhe e pushtimit italian.

"Gjatë kësaj kohe njihen dhe ndërhyrjet e mëdha që i kanë dhënë fizionomi qytetit dhe sidomos pjesës historike. Qasja favorizuese e politikës së Ahmet Zogut ndaj vendit fqinj, Italisë, solli që kjo e fundit të akreditojë fonde për qeverinë shqiptare, me qëllimin për një ndikim të mëtejshëm më të madh në politikën fiskale të Shqipërisë. Falë investimeve italiane dhe mbikëqyrjes profesionale të tyre në fushën e zhvillimit urban, sot kemi të trashëguar një imazh të qartë të asaj kohe, përfaqësuar nga godina e bankës, nga rruga tregtare etj.", – thotë studimi. 

Vitet '30 në arkitekturën botërore janë vitet e modernizmit, që tek ne do gjejnë shprehje gjatë periudhës së komunizmit. Rritja e popullsisë bëri që qyteti të zgjerohej në veri me lagjet e reja, me godina banimi kryesisht me pesë-gjashtë kate, për aq sa e lejonte teknika dhe financa e kohës. Imazhi i pallateve parafabrikat është i varfër, që me shtesat e bëra së fundmi është shqetësues. 
 

Trashëgimia 

Statusi i trashëgimisë, ruan nga shembja dhe ndërtimi i ri, por nuk ruan fasadën nga tjetërsimi i ndërhyrjeve të pjesshme, gjë që e shohim në fotot e mëposhtme. Sipas Klemos, shtesat e bëra plotësojnë kushtet dhe nevojat e njerëzve, por ato rrezikojnë identitetin e godinës dhe integritetin e ansamblit.

"Çfarë do të ndodhte nëse çdo pronar do zgjeronte në mënyrë intensive dhe ekstensive sipërfaqen e ndërtimit? Nuk do mbetet më një qendër historike. Dhe ky identitet, i cili, krahasuar me të tjerët është më i ruajtur, gjithashtu do të humbë. Është e vështirë që për këtë zonë të shpallet një status monumenti, sepse ato nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme si kusht dhe nuk paraqesin ndonjë veçanti arkitektonike aq të rrallë", thotë studimi i Klemos për zonën e rrugës tregtare në Durrës.

/Gazeta Shqiptare/