DURRËS, 22 qershor 2014 – Bashkia e qytezës qipriote të Pejijës (Peyia / Baf) ka zgjedhur një vend të ri për celebrime, që ofron përvojë unike për çiftet që vënë unazë.
Vendi është caktuar në afërsi të anijes me pronar shqiptar “Edro III”, që ka ngecur në cekëtinën shkëmbore në zonën e qytetit qipriot Pafos / Paphos / Baf në një det të stuhishëm dy vjet e gjysmë më parë (më 8 dhjetor 2011).
Ky vend, në plazhin e quajtur ‘Gliki Nero Bay’ u përurua zyrtarisht të premten, më 20 qershor 2014, njofton gazeta vendase Cyprus Mail.
Zyrtarët e përshkruajnë vendin si “magjik”.
Ofiqarja e zyrës së martesave Maria Yiangou, që ka celebruar mijëra dasma në Pejia gjatë 20 viteve të fundit, tha se gazebo-ja / tenda / belvederi e re e martesave në shpellat detare në Pejija në Pafos / Baf ofron diçka krejtësisht të ndryshme për çifte nga e gjithë bota.
“Ky është vend i mahnitshëm dhe magjik me pamje të mrekullueshme panoramike dhe do të ofrojë një alternativë për çiftet që nuk duan të martohen në ndërtesën e bashkisë e qytetit apo diku tjetër”, tha ajo. “Ka hapësirë për rreth 30 njerëz për t'u ulur nën strukturën dhe një zonë për shumë më jashtë”.
Struktura prej druri është zbukuruar me lule dhe aksesorë dasmash.
Shpresohet se vendi i ri i celebrimit do të mbushë më tej arkën e bashkisë.
Një martesë në Gliki Nero Bay do të kushtojë 600 euro, i njëjti çmim si në hotel apo vilë, – thotë Yiangou, – Kjo shumë përfshin licencën dhe certifikatën e çiftit”, deklaron ofiqarja, duke shtuar se ajo apo kolege e martesave në bashki, Stella Demetriou, kryejnë shërbimet.
Vendi i ri është vendosur në zonën e shpellave detare të Pejijas, zonë me bukuri natyrore të pakrahasueshme dhe në afërsi të anijes Edro III, e cila ka mbetur e bllokuar në shkëmbinj që nga 8 dhjetori 2011 (shih fotot poshtë që i asaj dite).
Anija me pronar shqiptar, e ndërtuar në vitin 1966, ishte nisur nga porti i Limasol-it në fillim të dhjetorit 2011me destinacion ishullin e Rodosit.
Motori i mjetit lundrues pati probleme teknike gjatë një moti të keq dhe anija ngeci në shkëmbinj në brigjet e Pafosit / Bafit.
Edhe pse u pastrua nga të gjitha mbeturinat dhe karburanti, ndalohet hyrja në anije, pasi sikurse paralajmërohet me tabela e shenja, është e rrezikshme për plazhistët. Gjithsesi, vendi është ende popullor për banorët dhe turistët që vizitojnë zonën për të parë anije e aksidentuar.
Vitin e kaluar u lidhën 650 martesa në Pejija, tha Yiangou, duke i siguruar bashkisë rreth 220 000 euro.
“Martesat janë një burim i rëndësishëm ardhurash për pushtetin vendor dhe shpresojmë t’i rrisim në vitet e ardhshme”.
Yiangou thotë se afërsisht i njëjti numër martesash civile do të bëhen në bashki këtë vit, por shifrat për vitin 2015 tashmë janë në rritje.
“Gjithashtu kemi pranuar rezervime për vitet 2016 dhe 2017”, tha ajo.
Shumica e çifteve që zgjedhin Pejian për të lidhë martesë janë britanike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





