Tiranë, 22 qershor 2014 – Të shtunën dhe të dielën, fotografia e një femre të hijshme, e veshur me uniformën forcave speciale, ku ajo kishte dalë sëbashku me një polic të reparteve që ndërhynë në Lazarat, bëri xhiron e mediave online dhe të rrjeteve sociale. Komentet për një grua të bukur në këtë operacion të rrezikshëm mbushën rrjetet sociale duke treguar se edhe policet shqiptare janë tashmë një forcë e konsiderueshme e këtyre reparteve.
Vajza e bukur bionde është e veshur me uniformën e forcave speciale të policisë dhe sëbashku me një efektiv janë fotografuar në një pjesë të lagjeve të brendshme të Lazaratit. Por e vërteta nuk është plotësisht kështu. Vajza bionde është vërtet një police, por është e repartit “Shqiponja” në Tiranë, reparte që patrullojnë rrugët dhe ndërhyjnë kur ka emergjenca në qytet. Gjatë operacionit në Lazarat “Shqiponjat” e Tiranës u angazhuan në këtë zonë, por jo në front, ata punuan për patrullimin e rrugës nacionale dhe kontrollin e mjeteve dhe njerëzve që kalonin aty, apo që drejtoheshin për në rrugën e fshatit, citon Gazeta Idea.
Nga burime shumë të sigurta brenda policisë, mësohet se të vetmet femra që kanë qenë pjesë e këtij operacioni, ka qenë një grua e logjistikës, e repartit FNSH të Tiranës, që përgjigjej për furnizimin e reparteve me mjete si ushqime, ujë, veshmbathje etj, dhe Laura Totraku e zyrës së marrëdhënieve me publikun që koordinonte të gjithë “operacionin informues” zyrtar, por edhe komunikimin mes reparteve në terren për efekt organizimi.
Vajza në këtë foto është ngjitur në fshatin Lazarat vetëm në ditën e 5-të ose të 6-të, kur Lazarati ishte ndërkohë në duart e policisë dhe në fshati kishin filluar të futeshin edhe kuriozët e tjerë që mezi prisnin të shikonin ishullin pa shtet të vendit.
Nuk dihet nëse kjo foto është bërë qëllimisht nga “kuratorët” e imazhit të policisë shqiptare për të treguar se edhe një vajzë e bukur mund të jetë një luftëtare kundër krimit dhe mafias, apo është një foto e bërë thjeshtë nga efektivja e Shqiponjave, sa për një kujtim të bukur nga Lazarati me kolegët që ishin në vijën e sulmit.
Por duket se nxitimi është i mediave, të cilat nxituan të flasin për një femër që ishte pjesë e operacionit më të rëndësishëm që ka ndërmarrë policia shqiptare që prej vitit 1997. Këto radhë nuk kanë assesi qëllim të zbehin rolin e femrës shqiptare në polici dhe kontributin e saj në këtë forcë të rëndësishme të shtetit. Thjesht është një përpjekje për të thënë të vërtetën.





