Brazil, 22 qershor 2014 – Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj çfarë po ndodh në Brazil…shumë gola…spektakël, por edhe të papritura të hidhura që shoqërohen me lotë lamtumire. Gjithsesi, le të dalim pak nga rrethi vicioz i stadiumeve për të hedhur vështrimin në rrugët e vendit amerikano latin për t’ju sjellë disa histori emocionuese, por edhe të padëgjuara më parë.
Në fushë mund të jetë një lojtar i fuqishëm dhe ndoshta shpesh herë edhe brital në ndërhyrje, por jashtë tapetit të gjelbër ai transformohet në një tjetër njeri. Po flasim për mesfushorin e Ganës, Sulley Muntari. Videoja amatore ku lojtari i Milanit shpërndan lekë për disa fëmijë të varfër brazilianë, po bën xhiron e botës. Ngjarja ndodhi në qytezën Maceio ku lojtari u ndal për të biseduar me banorët. Një gjest human sa për mijëra fjalë…
Kuriozitetin tjetër po e shkëpusim nga kampi stërvitor i Portugalisë ku Cristiano Ronaldo duket se ka marrë me vete edhe berberi personal. Pavarësisht problemeve fizike, Topi i Artë nuk harron lookun e tij duke konkurruar në distancë me brazilianin Neymar. Këtë herë, luzitani është shfaqur në stërvitje me një stil të ri, ose më saktë me zig zage në pjesën anësore të kokës. Është kjo një zgjedhje e lojtarit për t’u mbajtur mend në këtë botëror?
Në vendin e dytë qëndron Paul Pogba, djaloshi që ka çmendur gjysmën e Europës. Dhe kur themi djaloshi këtë duhet ta merrni seriozisht, pasi mesfushori vazhdon të mbetet i fiksuar pas lojërave kompjuterike edhe pse tashmë është një nga lojtarët më të njohur në planet. Gjatë një udhëtimi me avion, kameramani i kombëtares franceze ka fokusuar ekranin e tabletit të lojtarit juventin, i cili po argëtohet me lojën online “Football Manager”. A po mëson Pogba për t’i dhënë ndonjë këshillë trajnerit Deschamps? Bën mirë të mos guxojë…
Transferohemi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Lionel Messi ka bërë të lumtur një person. Jemi në Las Vegas ku edhe pse pa dijeninë e tij, numri 10 i dhuroi një shumë të majme një lojtari bixhozi. Tifozi anonim ka vënë një bast prej 350 mijë dollarësh për suksesin e Argjentinës. Nga basti i vënë, tifozi fiton vetëm 30 mijë dollarë dhe këtu lind pyetja…a ia vlen të vuash aq shumë gjatë 90 minutave për një shumë të tillë?
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





