Gjirokastër, 22 qershor 2014 – Mëngjesin e së dielës, si pasojë e operacionit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit në Lazarat, janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë, të cilët akuzohen për të shtëna në drejtim të policisë, për prodhim e shitje narkotikësh si dhe për armëmbajtje pa leje. 

Të arrestuarit janë Minush Brahimi, 21 vjeç, i cili siç raporton policia është identifikuar të ketë qëlluar kundrejt policisë me armë, Laçe Koli, mbi të cilin rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, por edhe ajo e armëmbajtjes pa leje, si dhe Gjiri Malaj, në banesën e të cilit u gjetën sasi të konsiderueshme hashashi dhe municionesh.

Qe prej se henes e deri mbremjen e se shtunes, bilanci i operacionit policor në fshatin Lazarat ka regjistruar mbi 413 banesa të kontrolluara. Policia e Shtetit bën të ditur se deri ditën e djeshme janë asgjesuar 112 mijë e 152 rrënjë dhe fidanë kanabis sativa, si dhe sasia prej 39 tonë e 156 kg po kanabis, e gjetur jo vetëm në banesa por edhe në bodrume. Veç tyre edhe 18 të arrestuar, që janë të dyshuar për sulme me armë, kundërshtim të policisë, kultivim të kanabis sativës, mbatje të armëve e municioneve luftarake dhe dëmtim të pronës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/