Brazil, 21 qershor 2014 – Gjermania nuk ka arritur ta mposhtë Ganën në takimin e xhiros së dytë të Grupit G. Përballja e zhvilluar në Fortaleza përfundoi me rezultat 2-2.

Ganezët bënë një paraqitje të mirë duke arritur të mbyllin hapësirat dhe të mos i lejojnë gjermanët që të zhvillojnë lojën e tyre.

Die Mannschaft nuk arritën të ishin skuadër superiore kundrejt ekipit afrikan, i cili arriti të mbrohej mirë.

Në disa raste, madje Neuer u desh të intervenonte për të mbajtur të paprekur portën e tij.

Gjysma e dytë ishte fantastike. Fillimisht të përmendim që në lojë u inkuadrua mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi.

Shumë shpejtë, Thomas Muller dërgoi një top të mrekullueshëm në zonë dhe Mario Gotze i kaloi gjermanët në epërsi (51’).

Mirëpo, reagimi i ganezëve ishte i furishëm. Një harkim nga Harrison Afful e priti Andre Ayew i pamarkuar nga Mustafi dhe barazoi me kokë (54’).

Një kundërsulm i shpejtë i Ganës u konkretizua me golin e dytë të realizuar nga Asamoah Gyan (63’).

Mirëpo, pas një harkimi nga këndi, Howedes asistoi me kokë te Miroslav Klose, i cili e solli takimin në nivel (71’).

Ky ishte goli i 15-të i Kloses në Kampionate Botërore dhe në këtë mënyrë e barazon rekordin me fenomenin brazilian Ronaldo. Atij i duhet edhe një gol në këtë turne për ta thyer këtë rekord dhe për të hyrë në histori.

Pas xhiros së dytë, Gjermania ka katër pikë, kurse Gana një pikë. Gjithçka është e hapur dhe të gjitha përfaqësueset janë në lojë për kualifikim.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/