7 maj 2014 – Konsiderohej si një ndër lojtarët më me perspektivë të Shqipërisë, por atëherë kur llogaritej se kur mund të përfshihej në Kombëtaren “A”, Mërgim Brahimi braktisi kuqezinjtë. Gjithçka u konsiderua si një tradhti, sepse i riu ndërkohë e kishte veshur fanellën e kuqezinjve. Por nuk mbaroi me kaq. Disa muaj më vonë ai u pendua dhe kërkoi të rikthehej, por FSHF-ja i mbylli dyert, edhe për ta bërë shembull për të tjerët, pasi kush e refuzon njëherë Shqipërinë, nuk ka më shanse të rikthehet.
Tani që është siguruar se nuk ka më asnjë shans të vishet kuqezi, ka "rrëfyer" arsyen e fortë se përse nuk qëndroi me Shqipërinë.
"Flisja me dialekt kosovar dhe nuk më kuptonin", ka thënë mesfushori i Grasshopperit. Në Zvicër mund ta vlerësojnë këtë, por në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, nuk mundet ta besojnë kurrsesi. Pse? Thjesht sepse kuqezinjtë nga Kosova sot përbëjnë pjesën dërrmuese të Kombëtares shqiptare dhe aty çdo kosovar ndihet si në shtëpinë e tij.
Nëse Bragimi nuk kuptohej me Gjokajn, Matoshin, Shalën, Nezirajn, Gavazajn, Rrahmanin, atëherë me siguri që kjo nuk ka të bëjë me dialektin. Mesfushori Mërgim Brahimi ka treguar për portalin "wohleranzeiger.ch" pse është larguar nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe ka vendosur që të luajë për U-21 të Zvicrës.
Lojtari 21-vjeçar, ndërrimin e përfaqësueses e ka arsyetuar me vështirësitë gjuhësore që ka pasur te Shqipëria. Brahimi fillimisht kishte refuzuar Kombëtaren U-20 të Zvicrës për të luajtur për U-21 të Shqipërisë. Në vitin 2012, ai kishte debutuar edhe në Kombëtaren A të Shqipërisë.
Por, vitin e kaluar iu bashkua U- 21 të Zvicrës, duke hequr dorë nga Shqipëria. Brahimi, që është nga Kosova, aktualisht është duke luajtur në Kategorinë e Dytë zvicerane për skuadrën Wohlen. Te kjo e fundit është i huazuar nga Grasshopperi. Deri më tani ka luajtur në tetë ndeshje dhe ka shënuar një gol te U-21 e Zvicrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





