DURRËS, 11 prill 2014 –  Rusët të mos shkojnë as për turizëm në 111 vende që kanë marrëveshje ekstradimi me SHBA-në, duke akuzuar Uashingtonin për “gjueti”, kështu Kremlini kërcënon me armën “turistike” Perëndimin si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve pas aneksimit të Krimesë, ku përfshihet dhe Shqipëria, së cilës Moska “ia mban vath në vesh” (mi prinjali eto k svedeniju) qëndrimin e saj pro BE-së dhe Amerikës.

“GJUETIA”

Më 10 prill 2014 Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë (ndërtesa në foton kryesore) ka botuar një Paralajmërim për shtetasit rusë që udhëtojnë jashtë vendit duke “u rekomanduar të heqin dorë nga udhëtimet jashtë vendit, sidomos në vendet që kanë lidhur marrëveshje ekstradimi të ndërsjellë me SHBA, në se ka dyshime se autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit mund të paraqesin ndonjë pretendim ndaj tyre”.

Sipas dikasterit të diplomacisë ruse “administrata amerikane, e cila në mënyrë të pabazuar refuzon të njohë bashkimin e Krimesë me Rusinë, që është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, po përpiqet të shndërrojë në praktikë rutinore “gjuetinë” ndaj shtetasve rusë në vendet e treta me qëllim ekstradimin dhe dënimin e tyre në SHBA”.

Edhe ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri e ka botuar njoftimin e eprorëve, pasi në të thuhet: “Ambasadat dhe konsullatat e përgjithshme ruse po bëjnë të pamundurën për të kthyer në atdhe rusët që u kanë dalë probleme, duke u dhënë të gjithë konsulloreve ndihmën e nevojshme konsullore dhe ligjore” (më hollësisht shih tekstin e plotë në Info nr. 1).

ARMA “TURISTIKE”

Në të vërtetë, më shumë se kujdes ndaj shtetasve të vet që mund të ekstradohen në SHBA në 11 vendet që kanë marrëveshje, mes tyre dhe Shqipëria, njoftimi i dikasterit të Sergej Lavrovit është një kërcënim për dëmtim të industrisë turistike të shumë vendeve që kanë klientelë të madhe ruse. E reja e Paralajmërimit ka të bëjë me faktin se ai nuk prek vetëm vendet e BE-së dhe NATO-s që janë bashkuar më sanksionet, por edhe shtete të tjera.

Është një bombë e vërtetë turistike, ku preken si Finlanda, Zvicra, Italia, Turqia, Greqia, Franca, Britania e Madhe, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, por edhe shtete aziatike, afrikane, latinoamerikane, ku shkojnë me miliona turistë rusë për pushime.

“VATH NË VESH”

Shqipërisë nuk i prish puna shumë, pasi numri i turistëve rusë është i papërfillshëm, ndonëse ka tre vjet që është hequr regjimi i vizave për periudhën e verës, por, gjithsesi, edhe në vendin e vogël ballkanik janë drejtuar projektorët e agjencive turistike dhe imobiliare të shtetit të pafundmë euro-aziatik.

Natyrisht, Moskës nuk i ka pëlqyer pozicioni i Shqipërisë lidhur me Krimenë. Në një konferencë shtypi me medie të kryeqytetit, më 20 mars 2014, ambasadori Leonid Abramov, akuzoi pa doreza Tiranën zyrtare se “qëndrimi nuk pasqyron interesat realë të Shqipërisë” dhe se “të ecësh në hulli (idti v rusle) të interesave të huaj, kjo nuk është shenjë politike pragmatiste”.

Madje, z. Abramov kërcënoi se bashkëngjitja bashkësisë ndërkombëtare, domethënë aleatëve të saj (NATO, BE, SHBA), është ndjekur “me vëmendje” dhe se Moska “e mban vath në vesh këtë gjë (mi prinjali eto k svedeniju)”.

“KOLONA E PESTË”

Megjithatë, në rastin shqiptar më shumë se mesazh për turistët rusë për të mos ardhur në Shqipëri, Paralajmërimi është mesazh i koduar për “kolonën e pestë”, për të cilën ekziston frika e dekonspirimit dhe ekstradimit në SHBA.

Megjithatë, kjo frikë është më tepër paranojë, pasi Uashingtoni nuk do t’ia dijë fare për OJQ-të e ushqyera me paratë amerikane që kundërshtuan asgjësimin e arsenalit kimik në Shqipëri; segmente të opozitës që sapo ka rënë nga pushteti, deputetë, ish-ministra; ish-diplomatë që merrnin rrogë nga shteti shqiptar dhe paralelisht studionin në universitetin e z. Lavrov, njerëz në Presidencë, SHISH, etj., të cilët kanë urdhëruar apo bëjnë me kokën e tyre shkëmbime informacioni me shërbimet sekrete ruse, koreanoveriore etj.

Për shkak se MPJ e Rusisë nuk ka botuar ende versionin anglisht të Paralajmërimit të 10 prillit 2014, “Dyrrah”-u e ka përkthyer të plotë nga origjinali rusisht.

Gjithashtu, durreslajm.com ka ripërkthyer dy pyetje-përgjigje në konferencën e shtypit të 20 prillit 2014 të ambasadorit rus në Tiranë z. Leonid Abramov, thjesht për faktin se mediet shqiptare nuk kanë arritur të kuptojnë nuancat diplomatike.

Info 1 /

PARALAJMËRIM I MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË FEDERATËS RUSE PËR SHTETASIT RUSË QË UDHËTOJNË JASHTË VENDIT

Në vazhdim të paralajmërimit të 2 shtatorit 2013 për shtetasit e Federatës Ruse lidhur me mundësinë e ndalimit ose arrestimit me kërkesë të agjencive të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve të fshehta amerikane, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë tërheq vëmendjen se kohët e fundit ky kërcënim është rritur ndjeshëm për shkak të sanksioneve antiruse të SHBA-së.

Kjo ka të bëjë me faktin se administrata amerikane, e cila në mënyrë të pabazuar refuzon të njohë bashkimin e Krimesë me Rusinë, që është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, po përpiqet të shndërrojë në praktikë rutinore “gjuetinë” ndaj shtetasve rusë në vendet e treta me qëllim ekstradimin e dhe dënimin e tyre në SHBA, si rregull, me akuza të dyshimta. Me këtë rast pala amerikane, duke injoruar Traktatin dypalësh të vitit 1999 mbi ndihmën e ndërsjellë juridike për çështje penale, nuk informon autoritetet ruse mbi akuzat që u bëhen bashkatdhetarëve tanë, dhe në shumë raste nuk njoftojnë mbi paraburgimin e tyre zyrat konsullore të Rusisë.

Ambasadat dhe konsullatat e përgjithshme ruse po bëjnë të pamundurën për të kthyer në atdhe rusët që u kanë dalë probleme, duke u dhënë të gjithë konsullore ndihmën e nevojshme konsullore dhe ligjore.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se “drejtësia alla-amerikane” shquhet për qëndrim të paragjykuar ndaj shtetasve rusë, kurse proceset gjyqësore ndaj atyre, që janë rrëmbyer faktikisht dhe çuar në SHBA, zakonisht përfundojnë në dënime me burgim të gjatë sikurse ka ndodhur me V. A. But-in [- në anglisht “Bout”, Viktor Anatoljeviç, biznesmen rus i dënuar në vitin 2012 në SHBA me 25 vjet burg për tregti të paligjshme armësh dhe mbështetje terrorizmi,arrestuar në Tajlandë në vitin 2008, ekstradohet në vitin 2010 në SHBA; personifikuar nga aktori i famshëm i Hollivudit Nicolas Cage në filmin artistik “Lord of War” (zot i luftës) – “Dyrrah”] dhe K.V. Jaroshenko-n [Konstantin Vladimiroviç, pilot rus, figuron në një incident diplomatik mes Rusisë dhe SHBA. Më 28 maj 2010, u arrestua në Liberi për organizim transport sasish të mëdha të kokaine, u ekstradua në SHBA dhe më 7 shtator 2011 gjykata amerikane e dënoi me 20 vjet burg – “Dyrrah”].

Duke pasur parasysh këto rrethana përsëri u rekomandojmë qytetarëve rusë të heqin dorë nga udhëtimet jashtë vendit, sidomos në vendet që kanë lidhur marrëveshje ekstradimi të ndërsjellë me SHBA (lista e këtyre vendeve gjendet në sajtin e Departamentit amerikan të Shtetit, shih 4 faksimilet dhe linkun http://www.state.gov/documents/organization/71600.pdf), në se ka dyshime se autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit mund të paraqesin ndonjë pretendim ndaj tyre.

Moskë, 10 prill 2014

Info 2 / Konferenca e shtypit

Në konferencën e shtypit të ambasadorit të Rusisë në Shqipëri L. G. Abramov më 20 mars 2014, morën pjesë gazetarët e televizioneve TVSH, Top Channel, Top news, News 24, TV Klan, TV Scan, A1 Report, UTV, Albanian Screen TV, ABC News; gazetarët e gazetave “Gazeta Shqiptare”, “Koha Jonë, “Shqip”.

Gazetari i gazetës “Gazeta Shqiptare”: Si e komentoni qëndrimin e Tiranës zyrtare?

Ambasadori L. G. Abramov: Shpreh keqardhjen për këtë pozicion. Ai nuk pasqyron interesat realë të Shqipërisë, të cilët duhet të synojnë në forcimin e bashkëpunimit me vendet e huaja në të gjitha drejtimet dhe jo vetëm me një grup vendesh. Të ecësh në hulli (idti v rusle) të interesave të huaj, kjo nuk është shenjë e një politike pragmatiste. Ndërkohë i kushtuam vëmendje faktit se në të gjitha deklaratat e MPJ-së së Shqipërisë thuhet se ministria i bashkohet qëndrimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar, d.m.th. të aleatëve të saj. E kemi vath në vesh këtë gjë (Mi prinjali eto k svedeniju).

Gazetari i tv “Klan”: Ju thatë se kontaktuat me Kryeministrin E. Rama, a ka pasur kontakte midis palës shqiptare dhe asaj ruse për çështjen e armëve kimike siriane?

Ambasadori L. G. Abramov: Detyra e ambasadorit dhe detyrimi im është të kontaktoj rregullisht me drejtuesit e vendit ku jam akredituar (mesta prebivanija). Gjatë këtyre kontakteve, kemi diskutuar vetëm rreth çështjeve të marrëdhënieve dypalëshe. Asnjëherë nuk u diskutua çështja e armëve kimike. Edhe njëherë dua të theksoj se ne u përmbahemi detyrimeve tona ndërkombëtare. Po ju kujtoj se me amerikanët, në kuadër të operacionit për transportimin dhe asgjësimin e armëve kimike siriane nën drejtimin e OKB-së, ramë dakord se do të punonim me palën siriane, kurse ata në organizimin e operacionit për asgjësimin e armëve kimike, realizimi i të cilave do të kryhej qoftë në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër. Ne nuk “fusim hundët” në punët e tjetrit (v çuzhuju “igru”). Kjo është marrëdhënie dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së (Foto dhe teksti sipas sajtit të Ambasadës së Federatës Ruse në Shqipëri: http://www.albania.mid.ru/int/int8_shqip.html)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/