Durrës 12 mars /ATSH-Gëzim Kabashi / Për vite me radhë, sa herë që kam hyrë në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit më kanë tërhequr vëmendjen fotot e zmadhuara të artistëve me tituj, të cilat ishin vënë njera pas tjetrës në kolonën horizontale që ndan të dy katet e godinës. Menjëherë pas Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja ishte vendosur foto e Lazër Muratit, “Artist i Merituar”.

Portreti i hajthëm dhe flokët e zez janë gjërat që mbeteshin në mendje më së shumti nga fotoja e aktorit Murati, e cila qëndroi përkrah kolegëve të tjerë të shquar deri në fillim të viteve 1990.

 

Lazër Murati (27 mars 1923 – 2 gusht 1960)

Në radhën e aktorëve me tituj nderi, Lazër Murati ishte i vetmi aktor që nuk jetonte që nga viti 1960. Megjithëse kishte interpretuar vetëm 7 vjet si profesionist në skenën e teatrit të vjetër, aty ku shumë kohë më vonë u vendos kinema “14 nëntori”, djaloshi durrsak kishte krijuar një personalitet artistik mjaft të njohur për publikun durrsak. Ndërsa për miqtë ishte njeri i dashur dhe me sens të hollë humori.

Gjergj Vlashi, regjisori i mirënjohur i varietesë së Durrësit, kujton jo vetëm pasionin që kishte Lazri, por edhe talentin që i hapi rrugë shumë roleve të goditura në skenë.

“U njohëm për së afërmi rreth tryezës së provave të grupit të parë teatral të qytetit. Muri i largësisë u rrëzua menjëherë. Bashkë me të u zhduk edhe ndryshimi i moshave edhe mendimi që kisha krijuar për të në vogëli si njeri i çuditshëm. Mbeti i pandryshuar nderimi e dashuria për atë djalosh sa të talentuar aq edhe të thjeshtë. Ishte njeri i shakave dhe shumë i dashur me shokët”, -tregon Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi.

Në filimin e viteve 1950 kinoteatri ishte gjithmonë plot. Eglantina Prifti, e cila tamam në atë kohë u bë e fejuara e Lazër Muratit, megjithëse kanë kaluar gjashtë dekada kujton se në çdo premierë ulej në radhët e para bashkë me kunatën.

“Ishte shumë kënaqësi ta shihje në skenë,- tregon znj. Egla për bashkëshortin e saj. Mua më vinte mirë kur e duartrokisnin, por nuk më pëlqente kur ndokush më ngacmonte duke thënë se artistët në skenë edhe përqafohen me partneret se ua do roli”,- u kthehet kujtimeve bashkëshortja e aktorit të shquar.

 

7 vjet aktor profesionist

Rrobaqepës nga profesioni, por me një vokacion të lindur për teatrin, Lazër Murati hoqi dorë nga zanati i parë dhe në moshën 30-vjeçare u bë një nga themeluesit e teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu”.

Lazri ishte pa shkollë, por një regjisor sovjetik kur e pa së bashku me shokët e tij u habit që ata vinin nga lëvizja amatore. Aktori po rritej në skenën profesioniste të teatrit të Durrësit, qytetit ku kishte lindur dhe ku kishte miqtë më të mirë.

Nikolin Xhoja, Sotir Afezolli, Tod Thanasi, Teodor Rupi, Gaqo Spiro, Spiro Urumi, këta ishin shokët e tij të afërt. Që të gjithë emra të njohur të teatrit profesionist, ata u bënë edhe partnerët e Lazër Muratit në rolet e Grubekut, mister Baba, Tartufi, Fajenini, Liu, Osipi, etj.

Ja si e portretizon aktorin regjisori Gjergj Vlashi: “Lazër Murati ishte pajisur me një intuitë të stërhollë dhe mungesën e shkollës profesionale e kompensonte me talentin e fuqishëm dhe me punën këmbëngulëse. Loja e tij ishte larg shkëlqimit të jashtëm. Thuajse asnjëherë nuk thërriste, nuk bënte poza, nuk kërkonte mizansena të efektshme. Luante thjeshtë, me vërtetësi dhe gjithmonë ishte i përmbajtur”.

Vizatimi i Gjergj Vlashit pasqyron çelësin e zbërthimit të roleve që Lazër Murati mishëroi në skenën e teatrit të Durrësit.

Nuk është një punë e lehtë ajo e aktorit. Veçanërisht për një prind të ri, siç ishte Lazri. Çifti Murati e quajti vajzën e sapolindur Vasilika, në nderim të emrit të nënës së Lazrit.

“Shpeshherë vinte vonë,- kujton znj Egla,- veçanërisht kur përgatisnin premierat. Ndërsa kur shkonin në turne nuk vinte për disa ditë me radhë”. Ka qenë me pasoja për shëndetin e Lazrit një nga këto udhëtime, kur artistët profesioniste lëviznin edhe në këmbë në erë apo shi për të shkuar nga një fshat në tjetrin.

“U kthye nga fshatrat e Kavajës i sëmurë me bronkopneumoni dhe megjithëse u kurua, nuk u kujdes siç duhet për veten”. Znj. Egla kujton se si Lazri ngjitej në skenë edhe me temperaturë e nuk donte të dëgjonte për pushime. “Nuk i pëlqente të ankohej edhe kur u shtrua në spitalin e Durrësit, e mbi të gjitha nuk donte të më merakoste mua”,- kujton ditët e fundit të bashkëshortit. Më 2 gusht të vitit 1960 Lazër Muratin e ka përcjellë i gjithë qyteti. Ishte vetëm 37 vjeç.

Oborri i shtëpisë së vogël të Muratëve u mbush me kurora lulesh, ndërsa mbi 800 qirinj të ndezur në duart e njerëzve i dhanë lamtumirën e fundit bashkëqytetarit, i cili për vite me radhë ishte kthyer në një nga artistët më të mirë të skenës.

Vasilika, vogëlushja që mbeti pa baba ishte pjesë e festave që organizonin në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ndërsa Presidenti i Republikës do ta nderonte shumë shpejt me titullin “Artist i Merituar”.

Me siguri shumë shpejt Lazër Murati do të jetë pjesë e përkujtimeve që organizon drejtoria e teatrit të Durrësit, ndërsa hartuesit e Enciklopedisë “Teatri dhe kinematografia shqiptare” do ta vendosin emrin e tij atje ku e meriton.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/