Nga Gëzim Kabashi
Durrës, 18 Shkurt 2014 – “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore 55 vjet më parë.
Këmbëngulja e arkeologut të shquar, Vangjel Toçi, rinxorri në dritë pikërisht në vitin 1959, një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit, monument që aktualisht ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillim të shekullit të XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.
Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të IV-III para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Oficeri austriak, Camillo Prashnicher, i cili ishte edhe një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Prashnicher është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në librin e tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurative.
Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet
Për fat të mirë, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker.
Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit. Rizbulimi i mozaikut ngjalli interesin e shumë shkenctarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Në qendër të tij është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizashi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Është mbiquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave ilirë që e krijuan atë. Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik.
Teknika e përdorur për krijimin e tij është me gurë zalli natyrorë, me ngjyra të ndryshme, të ngjitura me njëra- tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.
Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u instalua në sallën kryesore të antikitetit, në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt i përket figura qendrore e mozaikut, por sidoqoftë ai vazhdon të njihet thjesht si “Bukuroshja e Durrësit”, duke i dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë përballë turistëve vendas dhe të huaj.