PORTUGALI, 5 janar 2014 – Legjenda e futbollit portugez Eusebio është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Futbollisti ka shënuar një numër të pabesueshëm golash, 473 në 440 ndeshje ndërsa luante për Benfikën.

Ai gjithashtu ka shënuar 41 gola në 64 ndeshje me ekipin kombëtar të Portugalisë, duke e ndihmuar skuadrën për vendin e tretë në Kupën e Botës në vitin 1966 në Angli. Në këtë turne Eusebio ishte edhe golashënuesi më i madh, me 9 gola.

I njohur me nofkën “Pantera e Zezë”, Eusebio da Silva Ferreira ishte i njohur për shpejtësinë e tij, teknikën dhe goditjen e frikshme, gjë që bëri që ai të shënonte plot 733 gola në karrierën e tij.

Ai është konsideruar si një nga lojtarët më të mirë që ka njohur historia e futbollit. Eusebio ka fituar Topin e Artë në vitin 1965 dhe ishte i dyti në vitin 1962 dhe 1966.