“Nëse në shtëpinë time do të vinin policë me uniformë dhe jo civilë, as Gazmiri nuk do reagonte siç ndodhi. Sot do e kisha djalin gjallë”.
5 janar 2014 – Ndre Marku, i ati i 32- vjeçarit që u vra nga RENEA mbrëmjen e 30 dhjetorit, pohon se gjithçka ndodhi kur në shtëpi i trokitën tre civilë, vetëm dy ditë para fatkeqësisë në familjen e tij. Ai tregon se 15 minuta përpara se policia të rrethonte zonën ku qëndronte i fshehur Gazmir Marku, në një bisedë telefonike i ka kërkuar të birit që të dorëzohej në Komisarin e Policisë së Durrësit, por ky i fundit nuk ka pranuar. Gjatë një rrëfimi për gazetën, Ndre Marku tregon nisjen e konfliktit mes policisë dhe të birit, e deri në momentin që 32- vjeçari u vra gjatë operacionit për arrestimin e tij.
Kur komunikuat për herë të fundit me Gazmirin, përpara se të vritej nga policia?
Vetëm pak minuta përpara se të vritej, komunikova me të në telefon dhe i kërkova që të dorëzohej në polici. Por Gazmiri më tha që vetëm i vdekur do të dorëzohem, pasi nuk kam bërë asgjë. Iu luta që të linte pas atë çfarë ndodhi dhe të përballej me drejtësinë, por ai nuk pranoi, duke më thënë që “vetëm i vdekur dorëzohem në polici”. Dhe kështu ndodhi, ai u vra.
Si e mësuat ngjarjen për vrasjen e djalit tuaj?
Që prej momentit që ndodhi konflikti ishim në ankth, pasi policia po e kërkonte gjithandej. E dinim që do ta arrestonin dhe nuk ishim kundra, por që do ta vriste vetë shteti nuk na shkonte mendja kurrë. Ishte ora 20:45 minuta kur dëgjova të shtëna armësh që vinin vetëm 600 metra larg shtëpisë sonë. Dola jashtë për të parë çfarë po ndodhte dhe nga një punonjës Policie mësova se forcat e RENEA-s kishin rrethuar zonën ku fshihej Gazmiri. Shtanga në vend, tentova të lidhesha me Gazmirin në telefon, por nuk ma hapi. U përpoqa të afrohesha drejt vendit nga vinin të shtënat, por policia nuk më lejoi. Pas 40 minutash më erdhi lajmi që djali im ishte vrarë nga policia, pasi nuk kishte pranuar të dorëzohej dhe kishte qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre.
http://www.panorama.com.al/2014/01/05/ekzekutimi-nga-renea-flet-babai-policet-erdhen-te-veshur-civile/





