5 janar 2013 – Për nder të ambasadorit shqiptar në Poloni, Florent Çeliku, i cili ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë, do të zhvillohen sot homazhet në hollin e Ministrisë së Jashtme. Nga ora 13:00-14:00, do të zhvillojnë homazhe familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të politikës dhe diplomacisë, dhe më pas trupi i pajetë i ambasadorit Çeliku do të përcillet për në banesën e fundit.
Ambasadori Çeliku është diplomuar në Akademinë Diplomatike të Vjenës me konvalidimin e nivelit Master dhe në Foreign Service Institute (Departamenti i Shtetit-SHBA). Ai ka patur bashkëpunim intensiv me institucione prestigjioze shkencore, kulturore, arsimore shqiptare dhe të huaja, përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, universitete shqiptare, institucione polake, austriake, franceze.
Përpara vitit 1992, ka punuar në Akademinë e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe pedagog i jashtëm në UT, Fakulteti Filologjik. Para se të emërohej Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Poloni, Ukrainë, Lituani, Estoni dhe Letoni, ambasadori Çeliku ka mbajtur postin e Zv/Ministrit të Punëve të Jashtme.





