VLORE, 5 janar 2014 – Panorama shkruan se kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë Vlorë duket se kanë vendosur paqe mes tyre. Kreu i qeverisë ishte dje në qytetin e Vlorës, ku ka zhvilluar takime me të zgjedhurit vendorë, por dhe me ministrat e tij.
Viti i ri duket se i ka gjetur në pozita më miqësore Kryeministrin dhe kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili është nën një proces penal për shpërdorim detyre në lidhje me dy leje ndërtimi. Në hotel “Paradise”, në prani të Kryeministrit Rama, prefektit Dervishi dhe disa deputetëve të këtij qarku, Gjika i ka kërkuar kreut të qeverisë që të bëjnë një fotografi së bashku në këtë fillim viti. Rama nuk e ka refuzuar këtë kërkesë të kryebashkiakut, i cili më pas e postoi atë të rrjetin social “Facebook”. “04 janar 2014! Me Kryeministrin dhe deputetin e Vlorës Edi Rama! Për mua jo vetëm mbarësi, por përgjegjësi dhe angazhim!”, shkruan Gjika në diçiturën e fotos së tij me Kryeministrin Rama. Pak javë më parë, para deputetëve socialistë, Kryeministri Rama tha se ndihet mik me Gjikën dhe se personalisht do t’i qëndrojë pranë në çfarëdolloj situate, por se ai nuk mund të ofrojë mbështetje politike për të dhe i kërkoi Drejtësisë të bëjë punën e vet deri në fund. “Si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës do të jem personalisht pranë tij edhe sikur ai të dalë fajtor. Por si Kryeministër, unë vetëm mund ta inkurajoj Prokurorinë dhe Drejtësinë të bëjë punën e vet deri në fund”, tha Rama.
Gjykimi i dosjes penale në ngarkim të kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe shtatë të bashkëpandehurve të tij, të akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe për falsifikim, është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe do të gjykohet në fund të muajit janar. Për shkak të ndjeshmërisë publike të çështjes, si dhe për arsye sigurie, Akuza e qytetit bregdetar kërkoi “zhvendosjen” e gjyqit në kryeqytet. “Transferim i çështjes penale nr. 1532, dt. 21.09.2012 në ngarkim të të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardhaj, Gëzim Feta, Gentjan Sherifaj, Blerdi Licaj, Mustafa Tartari, Artan Ferati, Aleks Ahmataj, të akuzuar respektivisht për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 186/3 e 25, 186/1,199/a/1 e 25 të Kodit Penal në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë”, thuhet në objektin e kërkesës, e cila u pranua nga gjykata.





