TIRANE, 4 dhjetor 2014 – Partia Demokratike i ka kerkuar ministrit te Brendshem, Saimir Tahirit te distancohet nga komentet e bera lidhur me vrasjen nga ana e policise se te kerkuarit Marku, per plagosjen e efektvit te policise.
Ne nje deklarate per mediat, koordinatorja per mediat ne PD, Silvi Bardhi e ka akuzuar ate per qendimin publik me te papjekur në historinë e shtetit shqiptar.
“Po bëhen 5 ditë qysh se Ministri i Brendshëm brohoriti, rrahu shpatullat, e tha, bravo çuna, dhe e mbylli me gëzuar, vrasjen e një qytetari në kërkim, të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Partia Demokratike i kërkon z.Tahiri të japë shpjegime e të distancohet menjëherë nga qëndrimi i tij mbi vrasjen e një qytetari nga policia, pasi sjellja e tij është një akt turpi për shtetin, për imazhin e vendit, dhe për vetë Policinë e Shtetit”- tha ajo.
Sipas Bardhit, eshtë e pabesueshme që Ministri i Brendshëm të thotë bravo për një vrasje, ta konsiderojë policinë e shtetit si një organizatë që merr hak, dhe ta trajtojë ngjarjen si një çështje të brendshme, duke harruar ligjin dhe rregullat e shtetit.
“Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve. Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj. Por është e pafalshme që Ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian’- tha ajo.
PD thekson se me qëndrimin e tij publik, Ministri Tahiri duket se ka ndërmend të instalojë në Shqipëri dënimin me vdekje, ta kthejë Shqipërinë mbrapa në kohën e praktikave të sigurimit të shtetit.
“Sjellja e Ministrit të Brendshëm është shenjë e një sëmundje të rëndë, të delirit të madhështisë dhe kjo ndodh kur një riosh vishet me më shumë pushtet nga sa i mbajnë shpatullat”- tha ajo, duke shtuar se veprimtaria e policisë së shtetit është e bazuar rreptësishtë në ligj, dhe nuk është një lojë luftash, siç zhvillohet në mendjen e ministrit Tahiri.
Sipas saj, me qëndrimin e tij pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm ka treguar se është një rrezik publik, dhe se nuk ka kthjelltësinë e pjekurinë e duhur për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme.
“Duke qenë se deklaratat e Ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga aparati qëndror i Edi Ramës, për fat të keq, kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe Kryeministrin e vendit. Kjo e bën edhe më të rëndë situatën, dhe më të pashpresë zgjidhjen. Kur një ministër çmendet publikisht, nuk i kërkon dot as Kryeministrit që të marrë masa, pasi ai vetë ka dhënë liçencën për këtë dalldisje adoleshenteske”- tha me tej ajo.
Partia Demokratike, shtoi ajo, edhe një herë kërkon reagim publik, shpjegim publik, dhe distancim publik të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, nga ky qëndrim tërësisht jo-europian i z.Tahiri.
“Vetëm një distancim i qartë publik, do të ishte një lehtësim për opinionin publik që është sot e kësaj dite i shqetësuar për komentet e qeverisë mbi vrasjen e një qytetari të dyshuar për vepra të rënda penale”- perfundoi Bardhi.





