DURRËS, 3 janar 2013 – Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 3 janar 2014, ora 13:06:45 GMT ose 14:06:45 (koha e Shqipërisë + 1 GMT), lëkundje të lehta toke me forcë M=2 dhe epiqendër në thellësinë 12 km. Sipas departamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit publik Politeknik të Tiranës, dukuria tektonike është lokalizuar 10 km në vijë ajrore në juglindje të qytetit të Kurbneshit, në koordinatat 41.7°V, 20.18°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). “Dyrrah”-u ka bërë një lokalizim më të “imët”, duke përdorur google earth-in: ngjarja sizmike ka ndodhur në zonën e parkut kombëtar të Zall Gjoçaj-t, në lindje dhe rrëzë malit të Dejës (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër dhe hartën nr. 2, shigjeta e gjelbër, dhe hartën nr. 3, pika e kuqe) me lartësi 2246 m, që dominon peizazhin mes Burrelit, Peshkopisë, Pukës dhe Rrëshenit. Nëse Kurbneshi ndodhet në juglindje të rrethit të Mirditës, qendra e komunës Selitë, fshati Zall Gjoçaj bën pjesë në komunën e Derjanit të rrethit të Matit.
Info / Parku Kombëtar Zall Gjoçaj
Ka një sipërfaqe prej 140 ha dhe ndodhet afër 40 km në verilindje të qytetit të Burrelit. Në përgjithësi pamja e këtij parku është mjaft piktoreske. Bukurinë ia shton edhe prania e disa burimeve dhe e rrjetit të përroskave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





