SERBI, 2 janar 2014 – Shqipëria dhe Kosova të bashkohen në një shtet të vetëm nëse e duan këtë gjë ka deklaruar ish-ambasadori britanik në Serbi, Ivor Roberts, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve B92. Ai jep një mendim ndryshe për rolin e kufijve, dhe një realitet të ri politik në Ballkan. Roberts shprehet se kufijtë janë të ndryshueshëm. “Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”, ka thanë ish-ambasadori Roberts.
Ai deklaron se, korrigjimi i kufijve në Ballkan mund te kontribuojë për paqe të përhershme. “Çështja e kufijve është çështje e mundimshme e shekullit njëzet. Mendoni vetë se çfarë problemi solli kjo çështje gjatë arbitrazhit në vitin 1916 në Levante, e këto probleme edhe sot e kësaj dite janë aktuale. Në atë kohë dy diplomat, një britanik dhe një francez, Siks dhe Pikot, kishin vizatuar hartën që prezantonte sferën e interesave britanike dhe franceze pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pastaj, dihet mirëfilli se çfarë probleme kishin lindur me kufijtë pas përfundimit të luftërave ballkanike me vizatimin e tyre në Konferencën paqësore të Londrës, në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore, kur u themelua shteti i ri i Shqipërisë, kur në mënyrë automatike shumica e shqiptarëve kishin mbetur të jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar”, shprehet Roberts.
“Ata që thonë, se qëllimi i vizatimit të ri të kufijve nuk do të duhej të ishte themelimi i shteteve mono-etnike, ju them se e gjithë esenca e kësaj është se brenda atyre kufijve njeriu ndjehet i sigurtë. Aty ku kufijtë krijojnë ndjenjën e pasigurisë, jo stabilitetit dhe dhunës, aty kufijtë nuk kanë ndonjë funksion të dobishëm”, thotë ish-ambasadori.
Roberts thotë se pret që roli i kufijve të humbasë dhe të bëhet i parëndësishëm, ashtu si është në rajonin e Schengenit, kur më nuk dini a jeni në Francë apo Gjermani. "Megjithatë, që kjo të ndodhë, duhet të kalojë shumë kohë, ashtu siç është dashur në rastin e Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë kaluar tre luftëra brenda një shekulli”.
Sipas tij, drama e kufijve në Ballkan nuk mund të zgjidhet brenda natës. “Kufijtë në radhë të parë duhet ti kontribuojnë sigurisë dhe stabilitetit. Kjo do të zgjasë deri atëherë kur ato do të bëhen krejtësisht të parëndësishëm”, tha ai.
Ai shprehet pro ndryshimit te kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. “Konsideroj se rajoni në veri të lumit Ibër, duhet t’i kthehet Serbisë, e disa pjesë të territorit të Luginës së Preshevës t’i kthehen Kosovës”.
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/ish–ambasadori-britanik-shqiperia-dhe-kosova-te-bashkohen-ne-nje-shtet-165989.html





