TIRANE, 31 dhjetor 2013 –Presidenti i Republikes Bujar Nishani uron shqiptaret kudo ku ndodhen per nje vit te lumtur e te mbare per te gjithe.

"Ju përshëndes në këtë mbrëmje të fundvitit kudo ku jeni, pranë familjes, me të afërmit, me miqtë, me të dashurit, afër ose larg, duke festuar ose jo, në ndonjë punë tuajën ose duke kryer detyrën shtetërore! 

Le të jetë kjo ditë e ndërrimit të viteve një ditë lumturimi për të gjithë. 

Uroj të gjithë ata që për shkak të rrethanave nuk ndodhen pranë të dashurve por larg, larg familjes, larg miqve, në ushtrim të profesionit, mjekët, ruajtësit e rendit, ushtarakët dhe të tjerë. 

Uroj të vobektit, të sëmurët, të vetmuarit, të braktisurit; afrim, ngrohtësi dhe fat më të mirë.

Me bindjen se ky mesazh urimi do të jetë një ogur i mirë për çdo familje shqiptare, kam menduar që posaçërisht të uroj të rinjtë dhe të rejat e vendit, brezin e ri, i cili sa vjen dhe ndërgjegjësohet jo vetëm për problemet që i paraqiten shoqërisë sonë, por që ka treguar se është i zoti të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e shumë prej tyre. 

Jam i bindur se ky mesazh nuk ka për të gjetur veç dëgjues të thjeshtë, por njerëz që me sjelljen e tyre po përtërijnë jetën e vendit. 

Sfidat me të cilat u përball çdo qytetar shqiptar në këtë vit ishin të mëdha, por ato zgjuan dhe forcuan shpirtin humanitar, ndjenjën e impenjimit të përbashkët për të përballur këto sfida. 

Është e pamundur sot t’i shkëpusim të rinjtë nga problemet dhe pyetjet që ata kanë për të ardhmen e tyre dhe për problemet që kërkojnë zgjidhje sot apo nesër, në gji të Europës. 

Me punën dhe qëndrimin tonë nuk duhet të zhgënjejmë asnjë prej tyre, sepse kështu do të cenonim shpresën për të ardhmen më të mirë. 

Të dashur bashkëqytetarë, 

Këtë vit të vështirë kemi vërejtur se mund t’i përballojmë provat për një perspektivë të qetë, me frymë bashkëpunimi dhe tolerimi. 

Ende kemi punë të vështira për të bërë. Është një barrë e madhe dhe sërish shpresoj që të rinjtë do të mbajnë një peshë të madhe të saj, duke rritur besimin ndaj punës dhe mundësive të tyre. 

Sepse mund të gjenden rrugët për të ulur borxhin publik, për rritjen e përgjegjshmërisë për të pasur një drejtësi të shpejtë dhe me efektivitet, për një luftë pa lëshime kundër korrupsionit, për pakësimin e papunësisë në zgjidhjen e problemeve të mprehta që na paraqiten si shtet dhe si shoqëri, probleme që nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen veçanërisht të të rinjve, larg zhurmave dhe llogaritjeve taktike. 

Jam i bindur se ndër brezat e rinj është rrënjosur vlera e unitetit kombëtar dhe vlera e shtetit. 

E ardhmja e vendit tonë në gjirin e Bashkimit të Europës kërkon një mendësi të re dhe këtë mendësi të rinjtë e lidhin me jetën e tyre. Në këtë përpjekje, jam i sigurt, ata do të kenë mbështetjen e tërë shoqërisë sonë. 

Shqipëria është vendi ku brenda një viti ndodhën aq shumë gjëra, sa zor të përmblidhen me një mesazh të thjeshtë. Por e rëndësishme është se populli ynë tregoi një maturi dhe pjekuri në ushtrimin e demokracisë. 

Le të kujtojmë një fakt domethënës: zhvillimin e zgjedhjeve qershorin e kaluar, kur populli ynë tregoi se e sheh me besim të ardhmen e tij. 

Të dashur bashkëqytetarë, 

Po lemë pas një vit nga i cili duhet të nxjerrim mësimet e duhura për të përballur me ballin lart vitin që po vjen. Është një betejë, por që duhet fituar me çdo kusht. Le të jetë viti i ri një hap i mëtejshëm në rrugën e përparimit të vendit. 

Unë dhe familja ime Ju urojmë mbarësi të gjithëve dhe Gëzuar Vitin e Ri!