TIRANË, 30 dhjetor 2013- Ministri i Punëve dhe Mirqënies Sociale Erjon Veliaj do të kalojë Vitin e Ri me fëmijët jetime të ‘Zyber Hallullit” dhe të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve tek zona e ‘Ali Demit’ në Tiranë. 
I ftuar në emisionin “Njerëz në Fokus” në News24, Veliaj foli mbi politikat e dikasterit që ai drejton. 
I pyetur mbi festat e fundvitit, Veliaj theksoi se do i kalojë me kënaqësi në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe për këtë ka zgjedhur klasën më delikate, fëmijët jetime dhe të moshuarit në azil. 

“U premtova që do gatuaj tek ‘Zyber Hallulli vetë. Nuk është se jam kuzhinier shumë i mirë por kam kërkuar ndihmën e Etleva Bishës, 
do jem aty në datën 31, kurse në datën 1 tek Shtëpia e të Moshuarve tek rruga ‘Ali Demi”, të dyja këto institucione gjenden të dyja në Tiranë. Një Vit i Ri ndryshe në këto institucione, do ishte pak më ndryshe dhe unë dhe Ajola këtë do bëjmë” 

Më pas Veliaj u shpreh se qeveria bëri cmos të siguronte fondin për shtresën e invalidëve ndërsa shton se e keqja e madhe është tejkaluar. 
Sa i përket ndihmës sociale, Veliaj tha se nëpunësit socialë në të gjitha rrethet janë munduar që të heqin nga lista përfituesit elektoralë dhe të fusin në skemën e përfitimit, personat në varrfëri ekstreme. Cështja e ndihmës ekonomike sipas Veliajt, nuk është problem i pushtetit qendror sa atij vendor. 

“Nuk është problem i pushtetit qendror, nuk presim që Lulzim Basha e Xhelal Mziu të emancipohen. Mziu është një nga më abuzuesit. Por me sistemin e ri elektronik kjo mundësi do ikë nga bashkitë, dhe shumë nga spekulantët elektoralë do largohen nuk do jenë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike”. 

Kurse sa i përket vitit 2014, Veliaj tha se prioritet janë zyrat e punës dhe arsimi profesional.

“Ajo që kemi bërë në 100 ditët e para jemi munduar të stabilizojmë situatën me invalidët, me romët, cështja e ndihmës ekonomike. Tani duam të fokusohemi në zyrat e punës dhe arsimi profesional duam ti bëjmë këto dy skema shumë të suksesshme”. 

Më tej ministri tha se ka një shanc që të përmirësohet skema e pensioneve.

“Kemi shanc në histori që të ndryshojmë skemën e pensioneve. Qeveritë deri dje kanë menduar vetëm për sot, të jem populist sot, neser të bëhet c’të bëhet, po deshi le të bëhet qameti. Nuk duhet menduar kështu, ndaj jemi fokusuar në këto emergjenca”.