DURRËS, 30 dhjetor 2013 – Epidemia e vjedhjeve të telave që kanë në përbërje metale me ngjyra për t’u shitur për skrap, prek dhe sistemin e furnizimit me drita në zonat e banuara, sikurse ka ndodhur në qytetin e Fushë-Krujës. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës, njofton se më 29 dhjetor 2013 filloi procedimi penal në mungesë për Astrit L., 35 vjeç, nga fshati Larushk i bashkisë së Fushë-Krujës. Dyshohet se gjatë natës ka vjedhur kabullin elektrik në qytetin e Fushë Krujës, duke lënë pa energji dy pallate në lagjen “Punëtori”. Në orën 7.00 të mëngjesit në lagjen “Punëtori” u gjet i braktisur një “Golf 2” me targa KR4427 A në pronësi të 35-vjeçarit, ku u sekuestruan një palë çelësa, 20.6 metra linear kabëll elektrik 4×25 me veshje plastike, dy vegla pune, një sëpatë dhe një levë metalike, tri palë doreza lëkure, fletë sharre, çelësa, sharrë hark, kaçavidë. Po më 29 dhjetor 2013, ora 23.30, u arrestua Sh. M., 17 vjeç, nga Durrësi. Gjatë kontrollit në banesën e tij në lagjen nr, 13 Durrës, iu sekuestrua një sasi teli elektrik, i cili dyshohet të jetë vjedhur në banesën e shtetasit S. I., 54 vjeç.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





