30 dhjetor 2013- Paketa e re fiskale e cila u miratua në parlament parashikon rritje të taksës për disa zëra mjaft të prekshëm për qytetarët, duke i bërë ata të paguajnë më shumë taksa gjatë 2014-ës. Efekti i parë i këtij sistemi fiskal është mbi pagat, pasi ata që paguhen më shumë do ti paguajnë më shumë taksë shtetit. Sipas projektligjit një qytetar që merr një rrogë deri në 30 mijë lekë të deklaruar nuk do të përfshihet në taksë. Ata që marrin mbi këtë shumë do të paguajnë 13 % të shumës së rrogës, ndërsa ata punonjës që paguhen mbi 130 mijë lekë do të tatohen rreth 23 % të rrogës që marrin.

Impakt të ndjeshëm në xhepat e gjithsecilit pritet të ketë edhe rritja e taksës së qarkullimit që sjell rritje të naftës dhe benzinës me rreth 12 lekë për litër. Ky vendim pritet të reflektohet në të gjitha pikat e karburanteve që prej 1 Janarit e natyrisht edhe në transportin publik. Shqiptarët do të paguajnë më shumë edhe për shtëpitë e tyre, pasi në bazë të ligjit shtëpitë e ndërtuara para 1993 nga 15 lekë që paguanin për metër katror tashmë do të paguajnë 30 lekë.

Më shumë para vitin që vjen do të kushtojnë edhe pijet alkoolike, pijet energjike dhe cigaret. Biznesi i vogël duket se është më i favorizuari pasi ulen tatimet për biznesin e vogël me 7.5 %, por nga ana tjetër biznesi i madh do të paguajë 50 % më shumë mbi fitimin.

 

http://www.sot.com.al/ekonomia/nga-1-janari-shqiptar%C3%ABt-do-t%C3%AB-paguajn%C3%AB-n%C3%AB-baz%C3%AB-t%C3%AB-taksimit-progresiv