Durrësi në top-lajmet “e zeza”: dy ngjarje kriminale paralele, por fatmirësisht me dy të plagosur, një në Hamallaj dhe një në Spitallë, gjë që detyroi të vinte kreu i dikasterit të Brendshëm, Saimir Tahiri
DURRËS, 29 dhjetor 2013 – 5 mijë euro për informacione se ku gjendet i dyshuari për plagosjen e një pjesëtari të forcave ligj-zbatuese. Goditet në krye të detyrës, ndryshe nga sa u raportua fillimisht në mediet televizive, oficeri i antikrimit A. H., i cili nuk ishte për kontroll rutinë banese në mesnatën e 28-29 dhjetorit 2013, por me objektiv për verifikimin e një të dyshuari për konflikt në një lokal të Spitallës. Kështu, Durrësi u vu në top-lajmet “e zeza”, me dy ngjarje kriminale paralele, fatmirësisht me dy të plagosur, një në Hamallaj dhe një në Spitallë, gjë që u pasqyrua me ardhjen në qytetin bregdetar të kreut të dikasterit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
NJOFTIMI
Zëdhënësja e Drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë, Ornelë Cako njofton se në orën 22.00 të datës 28 dhjetor 2013, në sallën operative të drejtorisë së policisë qarkut Durrës ka mbërritur një telefonatë, nëpërmjet së cilës një qytetar denoncon orvatjen për vjedhje me dhunë nga dy shtetas të lokalit të tij në lagjen nr. 15 Spitallë Durrës. Menjëherë komisariati i Durrësit filloi punën për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Kështu shërbime patrulle e auto-patrulle kanë vijuar me “krehjen” e territorit, ndërkohë që janë ndërmarrë verifikime për disa persona që priren për vjedhjet me dhunë.
PËR VERIFIKIM
Një patrullë me 3 punonjës policie është afruar pranë banesës së Gazmir Markut (në foto nga policia), shtetas me disa precedentë të mëparshëm penalë, ku në derën e oborrit të kësaj banese ka marrë kontakt me babanë e Gazmirit. Në këtë moment, pa paralajmërim, në një distancë të afërt, ka qëlluar me breshëri me një armë zjarri automatik në drejtim të efektivëve të policisë Gazmir Marku. Midis palëve ka pasur shkëmbim zjarri, si pasojë e së cilit ka mbetur i plagosur në krah oficeri i policisë kriminale, A. G.. Më pas, autori i dyshuar i kësaj plagosjeje ka mundur të largohet së bashku me armën e zjarrit.
EDHE ME HELIKOPTER
Në ndjekje të tij janë vënë me shpejtësi blutë e Durrësit, mbështetur edhe nga forcat RENEA, të cilët kanë vijuar me krehje të territorit përgjatë natës, kontrolle në boshtet rrugore, banesat ku dyshohej strehimi i autorit, dhe vijojnë aktualisht me të njëjtin intensitet punën për kapjen dhe neutralizimin e këtij shtetasi. Në mbështetje të forcave që vijojnë kërkimet është vënë edhe një helikopter policie. Aktualisht i dëmtuari ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Një vizitë në këtë spital iu bë edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.
SHPËRBLIMI
Shtetasi Gazmir Marku ka pasur disa precedentë të mëparshëm kriminalë për vepra të ndryshme penale si vjedhje, përdhunim, dhunë në familje, shkatërrim pronë, etj. Ndërkohë policia fton komunitetin që për çdo informacion që mund të ketë lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi të informojë në numrin pa pagesë 129 dhe 126 duke garantuar anonimatin e telefonuesve. Për informacione të vlefshme mbi kapjen e këtij shtetasi vendos në dispozicion shumën prej 5000 euro.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





