DURRËS, 28 dhjetor 2013 – Ndonëse blutë e Durrësit kanë shënuar arritje në kapjen e drogës, nuk arritën të parandalonin një trafik marijuane natën e 26-27 dhjetorit 2013, por nuk u shpëtoi dot forcave ligjzbatuese të Apenineve. Njoftohet se më 27 dhjetor 2013 policia financiare italiane zbuloi dhe sekuestroi një sasi marijuane me vlerë 130 000 euro në një Mercedes-Benz A-Class, që sapo zbarkoi nga një traget nga Durrësi në portin e Barit. Sipas medieve të përtej-Adriatikut, droga e paketuar në 35 qese me peshë totale të 13.260 kg, ishte fshehur nën dyshemenë e makinës. Gjendja e turbullt dhe e shqetësuar e shoferit, një 26-vjeçar shqiptar, u shkaktoi dyshime policëve italianë, që kanë kontrolluar pastaj mbarë e prapë automjetin. I riu u arrestua për narkotrafik ndërkombëtar. Ishte operacioni i përbashkët i Financës dhe Doganave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





