DURRËS, 28 dhjetor 2013 – Në shënjestër të aksionit kundër piraterisë televizive është vënë edhe një stacion kabllor i qytetit bregdetar. Ministria e Brendshme ka njoftuar se nga strukturat e sektorit për krimin ekonomik e financiar në drejtorinë e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë është ushtruar kontroll në mjediset e e një stacioni televiziv kabllor në qytetin e Durrësit. Sipas uniformave blu, këtu është vërejtur se nëpërmjet këtij rrjeti kabllor transmetoheshin 50 kanale televizive. Janë përpiluar materialet procedurale për referimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së transmetimit të kanaleve televizive, në ngarkim të administratorit të subjektit. Në rang republike nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) janë licencuar 90 kabllorë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





