Lulzim Basha paraqet para demokratëve bregdetarë propozimin politik për të ardhmen: Bashkim, Hapje dhe Demokraci e Re

DURRËS, 27 dhjetor 2013 – Dega e PD-së Durrës, ka organizuar pasditen e 26 dhjetorit 2013 një aktivitet për 23-vjetorin e themelimit të PD-së në këtë qytet, dega e parë në rrethe. Në ceremoninë e zhvilluar në teatrin “Aleksandër Moisiu”, merrnin pjesë edhe deputetët demokratë të këtij qarku Eduard Halimi, Oerd Bylykbashi, anëtarë të PD Durrës dhe simpatizantë të saj. I pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ceremonia e zhvilluar nisi me një dokumentar të shkurtër, që paraqiste momentet kyçe të rrugëtimit politik të demokratëve. Në fjalën e tij, kryetari aktual i degës, deputeti Igli Cara i bëri homazh figurës të të ndjerit Sokol Olldashi, duke thënë se ai do t’i mungojë edhe Lulzim Bashës, që mbajti një fjalim programatik me këtë rast.

Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha:

Të dashur dhe të nderuar themelues të degës së Partisë Demokratike të Durrësit,

Të dashur dhe të nderuar anëtarë dhe drejtues ndër vite të degës së Partisë Demokratike të Durrësit,

Të dashur të rinj e të reja, që duket se jeni shumë dhe, pse jo, shumicë domethënëse edhe në një përvjetor si ky.

Të dashur dhe të nderuar deputetë të pranishëm,

Të dashur e të nderuar aleatë të Partisë Demokratike,

Zonja dhe zotërinj,

Durrësit si qytet dhe demokratëve durrsakë u bën nder fakti se dega e PD-së këtu është një ndër degët e para që u krijua menjëherë pas themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë.

Ky fakt ka lidhje jo vetëm me afërsinë gjeografike dhe shpirtërore midis Tiranës dhe Durrësit, por para së gjithash me shpirtin e spikatur demokrat të atyre burrave e grave, të rinjve e të rejave që vendosen krijimin e degës së PD-së këtu në Durrës, duke e shndërruar atë brenda një kohe të shkurtër në një bastion të fuqishëm të lirisë, demokracisë , hapjes, përparimit, integrimit.

Nderimi dhe mirënjohja jonë sonte, nderimi dhe mirënjohja ime si kryetar i ri i PD-së u shkon pikësëpari këtyre themeluesve dhe demokratëve që çanë të parët akullin, që çanë të parët gardhin, që çanë të parët muret e izolimit dhe shtypjes gjysmëshekullore me flamurin pa yll, të lirisë në dorë, dhe lajmëruan të parët fillimin e epokës së re të demokracisë.

Sokol Olldashi, miku ynë i shtrenjtë që u nda tragjikisht nga jeta para pak javësh, ishte një ndër më të rinjtë e kësaj bërthame çlirimtarësh këtu në Durrës, por edhe ndër më të guximshmit e më të vendosurit në krye të gjimnazistëve të këtij qyteti.

Do ta kujtojmë e nderojmë kurdoherë si të tillë, si nismëtar, si qëndrestar, si opozitar, si ministër dhe figurë e ndritur e Partisë Demokratike.

Duke u kthyer prapa në kohë në dhjetorin e vitit 1990 apo në janarin e vitit 1991 rikujtojmë një të vërtetë të kohës që themeluesit e PD-së në Tiranë na e kanë thënë herë pas here: Në valën e parë të mpiksjes së Partisë së parë antikomuniste si parti kombëtare me shtrirje në gjithë territorin e vendit, jashtë Tiranës ishte edhe më vështirë se në kryeqytet.

Pasi u detyrua nga studentët e udhëhequr nga Azem Hajdari dhe intelektualët e Lëvizjes së Dhjetorit të pranonte pluralizmin dhe pasi dështoi në përpjekjen e vet për të penguar krijimin e Partisë Demokratike, regjimi diktatorial bëri çmos të pengonte shtrirjen e saj në rrethe, duke dashur ta mbante si një parti të vogël e të mbyllur brenda perimetrit të qytetit “Studenti”.

Por themeluesit e degëve këtu në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë treguan guxim dhe trimëri të pashoqe, duke mposhtur çdo formë të presionit, terrorit, dhunës dhe deri torturave që u zbatuan në rrethe nga veglat e diktaturës totalitare.

Partia Demokratike e Shqipërisë u bë shumë shpejt parti e madhe kombëtare falë themeluesve guximtarë e vizionarë.

Partia Demokratike mbeti parti e madhe kombëtare falë aftësisë për të përmbushur misionin e saj në pushtet dhe në opozitë si alternativa kryesore e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri, falë liderit të saj, Sali Berisha, falë mbështetjes së gjerë popullore në çdo situatë.

Nderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që e filluan.

Nderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që e vazhduan.

Nderim dhe mirënjohje për të gjithë demokratet e demokratët, për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, që janë shpirti i lirë i shtëpisë së madhe të lirive në Shqipëri.

Për efekt respekti i ndava veç e veç këto grupe. Në të vërtetë ato janë një trup i vetëm, janë Partia e madhe Demokratike, më e vendosur se asnjëherë për të shkruar një faqe të re suksesi përmes Bashkimit, Hapjes dhe Demokracisë se re si propozimi ynë politik për të ardhmen.

Bashkimi dhe ribashkimi i gjithë themeluesve pa përjashtim, nga partia në qendër e deri te seksioni më i vogël në bazë; bashkimi dhe ribashkimi i të gjithë atyre që kanë kontribuar, që kanë qëndruar, që kanë mbajtur të fortë e të pathyeshme Partinë Demokratike, që janë ringritur nga humbjet, që kanë qenë protagonistë të rikthimit të Partisë Demokratike në forcë të madhe të qeverisjes dhe ndryshimit të Shqipërisë; bashkim dhe ribashkim në respekt të dinjitetit dhe personalitetit të secilit; pra Bashkimi me B të madhe është detyra jonë, është imperativi ynë, është apeli dhe direktiva ime për gjithë demokratet dhe demokratët, nga më i vjetri tek më i riu.

Më shumë se kaq, ribashkimi i gjithë demokratëve është një domosdoshmëri e kohës që jetojmë, e politikes, e Shqipërisë së sotme dhe të nesërme.

Partia Demokratike e ribashkuar është një nevojë kombëtare sepse ne jemi alternativa e pushtetit të së majtës, ne jemi shpresa për të ndalur e larguar nga pushteti qeverinë e zhbërjeve, qeverinë e negativitetit, qeverinë e dështimit të madh me statusin, e cenimit te marrëdhënieve të shkëlqyera me partneret tanë amerikanë dhe europianë, qeverinë që po projekton varfërim dhe papunësi për shqiptarët, qeverinë që nëpërkëmb e kërcënon çdo ditë demokracinë, kushtetutën dhe ligjin, qeverinë që është përgjegjëse e drejtpërdrejte për dy dhe trefishimin e krimit dhe pasigurisë për jetën dhe pronën e shqiptarëve, qeverinë që ka gjymtuar administratën, qeverinë që rrezikon recesionin dhe destabilizimin.

Bashkim dhe ribashkim do të thotë asnjë i mënjanuar (i tepërt jo se jo), asnjë i nënvlerësuar, asnjë i paragjykuar.

Hapja është fjala e dytë kyçe e trinomit që përmenda më sipër. Një hapje e re e fuqishme ndaj brezit te ri, ndaj kulturës së re që po sjell ky brez në Shqipëri.

Vizioni për PD-në si shtëpi e madhe e lirive, ku ka vend për këdo dhe ku mirëpritet me krahë hapur, me derë të hapur dhe me zemër të hapur çdokush që dëshiron të angazhohet dhe të japë kontributin e tij apo të saj nëpërmjet forcës sonë politike për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e zhvilluar, për Demokracinë e re.

Alternativa e Demokracisë së re është leximi prej nesh i stadit të sotëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, i kulturës dhe mendësive të reja që po sjell brezi i ri, që u pa edhe në protestat e rinisë dhe qytetarëve të lirë kundër shpërfilljes qeveritare mbi armët kimike.

Kjo është alternativa e demokracisë pjesëmarrëse, si një element mungues i demokracisë sonë në vite; një demokraci që mbështetet në vlerat e dialogut konstant me publikun, të dëgjesës dhe konsultimit të përhershëm me qytetarët, të transparencës dhe llogaridhënies para tyre.

Po e bëjmë e do vazhdojmë ta bëjmë përmes konsultave të gjera me publikun dhe grupet e interesit.

Po e bëjmë e duhet ta bëjmë brenda partisë, në fushatën e re të zgjedhjeve, që do të jetë kuvendimi i madh dhe i lirë i gjithë anëtarëve me parimin “asgjë pa u thënë, por asgjë që nuk vlen”.

Do ta kemi nesër normë të vendimmarrjes sonë si forcë e re e shumicës. Por koncepti ynë i Demokracisë së re shkon shumë më larg. Ai do të kompletohet me alternativat e reja të zhvillimit për çdo fushë e sektor te jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Demokracia e re është e do të jetë propozimi i ri i demokratëve dhe brezit të ri për Shqipërinë europiane. Kthimi në histori është për ne vështrim dhe udhëtim në të ardhmen. Të shohim të ardhmen, ta bëjmë të prekshme, ta bëjmë trashëgimi pozitive të brezave, është mjeshtëria jonë.

Sfidat tona sot janë të mëdha, por sfide mbi sfidat është: Fillimi i ri, Ringritja, rikthimi shumicë, si alternativa më e mirë për të ardhmen e çdo shqiptari, fituese e qendrës dhe qendrës së djathtë. Do ta arrijmë. Me demokratët e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Të bashkuar me njëri-tjetrin. Të bashkuar me Shqiptarët. Gëzuar festën e krijimit të degës së Partisë Demokratike Durrës. Gëzuar festat e fundvitit. Gëzuar gjithë demokratëve e gjithë shqiptarëve kudo ku janë.

/agjencia  lajmeve “Dyrrah”/