1102 kontejnerë me mallra mbeten pa u shkarkuar dy ditë para Krishtlindjeve, tregtarët i frikësohen dëmit ekonomik
Nga Mark Brunga
Durrës, 26 dhjetor 2013 – Porti i Durrësit ka hyrë në një kolaps të paimagjinueshëm, teksa defekti i në vinçat e shkarkimit ka bërë që 1102 kontejnerë me mallra të mbeten pa u shkarkuar. Autoritetet e portit thonë se numri mund të rritet, teksa anije të tjera priten të vijnë për të shkarkuar mallrat e tyre. Ky defekt, i cili po mban peng mallrat dhe anijet që i ngarkojnë ato, po shqetëson agjencitë detare për pagesat që duhet të bëjnë për vonesat e anijeve, pasi ato punojnë pa kontratë me koncesionarin e terminalit të kontejnerëve. Gjithashtu, të shqetësuar janë edhe tregtarët vendas dhe ata nga Kosova, që kërkojnë të mbushin tregun me mallra në prag të festave të fundvit.
Ata shprehen se janë të shqetësuar nga kjo vonesë e paprecedentë, pasi rrezikohet plani i të ardhurave vjetore nga dogana. Sipas të dhënave nga punonjësit e portit, vinçat janë marrë me qira nga firma turke “Kurum” dhe thuhet se vështirë se mund të riparohen përpara 31 dhjetorit. Para disa ditësh, u mësua se një firmë nuk kishte lejuar fillimin e punës së një vinçi në terminalin e kontejnerëve. Vinçi në fjalë ka një kapacitet ngritës prej 150 tonësh. Ky vinç u bllokua për arsye sigurie. Gjithashtu, mësohet se puna joprofesionale dhe ndërhyrja në sistem ka bërë që dy vinçat e tjerë të dëmtohen. Zëdhënësja e Portit të Durrësit, Vilma Hoxha tha se po bisedohet me kompaninë turke për zgjidhjen e këtij problemi. Tashmë pritet që problemi të zgjidhet mes koncesionarit dhe Autoritetit Portual të Durrësit.
http://www.shekulli.com.al/





