26 dhjetor 2013- Grabitja me armë e ndodhur mbrëmjen e së martës në qendrën tregtare “TEG”, në kryeqytet, ku katër persona të veshur si babagjyshë grabitën një dyqan argjendarie, vijon të mbetet ende pa autorë. Ndërsa hetimet dhe kërkimet lidhur me autorët e kësaj ngjarjeje vijojnë të mbeten të hapura. Pas makinës së djegur, të tjera prova kanë rënë në duart e policisë. Tashmë duket se janë zbardhur detaje të tjera të cilat lidhen me “Babagjyshët” jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi. Burime konfidenciale nga policia bënë me dije se grabitësit e së martës nuk veprojnë të ndarë, por ata janë një bandë e cilësuar tashmë si “Banda e Babagjyshëve”. Kjo bandë dyshohet se është e njëjta që kërkohet edhe në Greqi. Autorët e saj dyshohet se janë të gjithë nga Fushë-Kruja. Por kjo nuk është e vetmja grabitje që ata dyshohet se kanë kryer. Jo më larg se një ditë përpara ngjarjes së famshme në qendrën tregtare në Tiranë, dyshohet se ata kanë kryer një tjetër grabitje, atë të një biznesmeni. Nga burimet dyshohet gjithashtu se “Banda e Babagjyshëve” është e shumëkërkuar në Greqi. Një javë më parë, policia greke ka deklaruar se dyshohet se këta persona kishin kaluar kufirin shqiptar, pasi kërkoheshin dhe në Greqi për të njëjtën vepër penale.  

Grabitja në TEG   

Pasditen e së hënës katër persona të armatosur dhe të maskuar si babagjyshë, kërcënuan shitësin e një argjendarie në brendësi të qendrës tregtare duke arritur ti grabisin atij një sasi të madhe parash si dhe një numër të madh bizhuterish me vlerë. Ndërkohë pak momente pas ngjarjes nga ana e uniformave blu u gjet makina e përdorur nga autorët e grabitjes, e përfshirë nga flakët ndërsa u zbuluan dhe targat e saj AA 147 FY, tip Benz ngjyrë gri. Automjeti u gjet mes Shkozës dhe fshatit Surrel. Nga të dhënat e para u mësua se grupi i personave duke përfituar nga veshja festive kanë hyrë të armatosur pa u vënë re nga siguria dhe më pas kanë goditur objektivin e tyre. Ata kanë mbajtur për disa minuta peng punonjësin e argjendarisë, ndërkohë që menjëherë pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes duke shfrytëzuar maskimin. Pas sinjalizimit për këtë rast forca të shumta policie kanë mbërritur në qendrën tregtare, ndërsa thuhet se kanë qenë katër persona të armatosur dhe të maskuar ata që kanë kryer grabitjen, të cilët priteshin në makinë nga një person i pestë.   

Greqia në alarm  

Vetëm pak ditë më parë, policia greke ka publikuar fotografitë dhe të dhënat personale të një grupi keqbërësish nga Shqipëria prej shtatë vetësh, që vepron prej më se dy vjetësh në zonën periferike të Athinës dhe të Argos. Urdhëri për publikimin e tyre është dhënë nga prokuroria pas arrestimit të një prej anëtarëve të këtij grupi, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga këta persona, që sipas deklaratës për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të policisë, janë të rrezikshëm dhe nuk ngurrojnë të qëllojnë me armë zjarri. Veprat penale të tyre janë zbardhur pas një hetimi disamujor nga ana e policisë dhe në listën e gjatë të tyre përfshihen midis të tjerash: 3 tentativa vrasjeje, nga të cilat dy ndaj policëve grekë, 10 vjedhje në qendra tregtare dhe banka, 6 vjedhje makinash e 3 bastisje shtëpish. 

Policia gjen dy armë pranë Sanatoriumit  

Në sajë të kërkimeve të shumta kanë mundur të gjejnë edhe dy armë, të cilat mendohet se u përkasin grabitësve. Armët janë gjetur pranë zonës së Sanatoriumit në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ndërsa nga ana tjetër policia ka bërë të mundur edhe gjetjen e pronarit të automjetit të përdorur nga grabitësit. Ky i fundit është shoqëruar për në polici për tu marrë në pyetje. Sipas policisë mësohet se automjeti tip Benz me targë AA 147 FY i cili është përdorur nga grabitësit dy netë më parë në një qendër tregtare në Tiranë rezulton të jetë në pronësi të 51-vjeçarit Xhelil. A., banues në rrugën “Don Bosko”. Burime nga policia bënë me dije se automjeti përdorej nga shtetasi në fjalë dhe nga djali i tij. 51-vjeçari po vijon të merret në pyetje për të sqaruar pozitën e tij me pronësinë e mjetit. Ndërsa në deklarimet paraprake burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se 51-vjeçari ka deklaruar se mjetin e kishte shitur një vit me parë. Sakaq burime nga policia e Tiranës, bëjnë me dije se targat e mjetit tip Benz janë false pasi ati i përkasin një mjeti tjetër, ndërsa në polici nuk ka pasur denoncim për humbje apo për vjedhje të ndonjë makine me targe AA 147 FY. Ndërkaq, nga ana e bluve po vijon ekspertimi i grupit hetimor në mjet, për të arritur identifikimin e numrave të saktë të shasisë në mënyrë që të zbulohet origjina e ardhjes së mjetit në Shqipëri dhe pronësia fillestare. Ndërkohë policia po vijon hetimet e mëtejshme për ngjarjen dhe po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë e cila mund të kishte përfunduar edhe tragjike. 

 

http://www.sot.com.al/aktualitet/%E2%80%9Cbanda-e-babagjysh%C3%ABve%E2%80%9D-grup-kriminal-n%C3%AB-greqi-policia-helene-paralajm%C3%ABroi-rrezikshm%C3%ABrin%C3%AB