25 dhjetor 2013- Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikola Vuljaniç, ka komentuar për herë të parë deklaratën e tij të bujshme, sipas të cilës statusi i Shqipërisë kushtëzohej me arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Disa ditë para vendimit të statusit, Nikola Vuljaniç, në emër të Parlamentit Evropian, deklaroi që Shqipëria të jetë e besueshme në luftën kundër korrupsionit, duhet që të arrestohen kryeministra, prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar. Mediat në Shqipëri dhe në Kosovë, e lidhën qëndrimin e Vuljaniç me Sali Berishën, i cili tashmë njihet botërisht si ish-kryeministri më i korruptuar. Ndërkaq, dje, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikola Vuljaniç, pohoi se nuk e kishte përmenduar me emër Sali Berishën, edhe pse kambana ka rënë për të. Gjithsesi, Vuljaniç ka deklaruar se duhet të ketë arrestime dhe të pandehur në nivele të larta, detyre kjo që i takon sistemit të drejtësisë. Ai pohoi se nuk  cakton emra Brukseli, se kush duhet të arrestohet. “Nuk e kam idenë se kush duhet të dënohet. Por, ajo është që e rëndësishme është që të kuptohet se korrupsioni është një fenomen i keq dhe kur kjo të kuptohet, do të ketë edhe dënime në nivel të lartë. Gazetarët e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme, duke thënë se kam përmendur edhe ish kryeministrin Berisha, që në fakt nuk e kam përmendur. I takon sistemit gjyqësor të merret me këtë dhe të përcaktojë se kush duhet dënuar. Nëse korrupsioni është kaq i lartë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi, por nuk më takon mua ta them se kush. Por i takon sistemit gjyqësor”, ka deklaruar ai. Ndërkaq, ish-kryeministrit Sali Berisha ka reaguar ashpër pas pasqyrimit të deklaratës së Vuljaniç në media. Berisha ka deklaruar se lajmi për arrestimin e tij është trillim i enveristëve.   

Stefan Fyle  

Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, është prononcuar në lidhje me vendimin e vendeve anëtare të BE, lidhur me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.  I pyetur se cilat kanë qenë arsyet që kanë çuar në shtyrjen e shqyrtimit të statusit për Shqipërinë në qershor, Peter Stano ka thënë: "Nuk ka pasur ndonjë shtyrje. Në muajin tetor, Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i jepnin Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Javën e kaluar, shtetet anëtare, pasi diskutuan lidhur me rekomandimin dhe vlerësuan arritjet e rëndësishme në Shqipëri gjatë këtij viti, deklaruan qartë se ato shpresojnë të marrin një vendim lidhur me dhënien e statusit kandidat Shqipërisë në qershor të vitit 2014".  

Sa i takon hapave që duhet të ndjekë Shqipëria për të arritur të bindë vendet skeptike deri në qershor, ai shprehet: "Shtetet anëtare të BE-së presin vazhdimin e zbatimit të reformave anti-korrupsion dhe strategjitë e reformave në gjyqësor, të legjislacionit përkatës të aprovuar kohët e fundit, si dhe prirjes së vazhdueshme për hetime pro-aktive dhe ndëshkime, përfshi edhe fushën e krimit të organizuar.   

Vuljaniç:Bllokimi i statusit, zhgënjyes   

Z. Vuljaniç ka deklaruar se është zhgënjyer nga vendimi i Ministrave të jashtëm të BE për të shtyrë edhe me gjashtë muaj statusin e Shqipërisë. “Padyshim që jam i zhgënjyer, e kam thënë edhe në rezolutën e Parlamentit Europian që prisja që statusi kandidat të jepet pa asnjë vonesë dhe nuk shoh asnjë arsye për këtë vonesë përveçse qëndrimit të disa parlamenteve të disa vendeve anëtare në BE, veçanërisht të Hollandës. Dhe jam gjithashtu i zhgënjyer sepse nuk mendoj që Europa duhet të shndërrohet në një fortesë ku ose hyn me forcë ose duhet të presësh 25 vjet. Megjithatë mendoj se nuk është tragjedi, janë vetëm 6 muaj. Unë i lexova me kujdes konkluzionet dhe kam vërtet besim që do të merret në qershor të vitit të ardhshëm. Ndaj le të jemi optimist”, ka deklaruar ai.   

Aldo Bumçi: Marrëdhëniet mes Ramës dhe SHBA janë krisur  

Pas refuzimit nga qeveria “Rama”, për mospranimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë, janë shtuar zërat se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ftohur. Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi në një prononcim për gazetën “Sot”, pohoi se marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë krisur. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen të zhgënjyera nga kreu i qeverisë, Rama. “Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Shqipërisë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar. Por, ashtu si kanë thënë dhe vetë diplomatët amerikanë dhe Jonathan Moore, ka ndodhur një zhgënjim. Kjo tregoi se marrëdhëniet mes Ramës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë pësuar një krisje. Por me kryeministrin Edi Rama, bazuar dhe nga deklaratat e diplomatëve, është një tregues se SHBA, janë zhgënjyer”, u shpreh Bumçi.  

Petrit Vasili: Marrëdhëniet janë të shkëlqyera  

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera, duke hedhur poshtë zërat për ftohjen e këtyre marrëdhënieve. Sipas tij, refuzimi i për sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri nuk ka pasur asnjë ndikim në këto marrëdhënie. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë më të mira se asnjëherë tjetër. Pra këto marrëdhënie janë të shkëlqyera dhe nuk ka asnjë ftohje ashtu siç përflitet”, theksoi Vasili. Në të njëjtën linjë ka vijuar dhe ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar (Shtetëror), Fatos Klosi, i cili ka deklaruar se përplasja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë tejkaluar. “Unë nuk besoj që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ftohur. Refuzimi i armëve kimike nuk ishte diçka e mirë por gjithsesi nuk ka ndikim në këto marrëdhënie”, tha ai.

http://www.sot.com.al/politike/t%C3%ABrhiqet-vuljani%C3%A7-nuk-kam-k%C3%ABrkuar-arrestimin-e-berish%C3%ABs-d%C3%ABnimi-i-t%C3%AB-korruptuarve-%C3%ABsht%C3%AB