20 dhjetor 2013- Kryeministri, Edi Rama, ka vijuar edhe sot me shpjegimin nga afër të efekteve që do të sjellë paketa fiskale. Në një takim me qytetarët te Kodrat e Liqenit, Rama i shoqëruar edhe nga ministrat e mjedisit dhe të ekonomisë, akuzoi opozitën se po përhap panik për çështjen e rritjes së naftës.Rama shtoi se buxheti përmbush premtimet dhe synon që të bëjë më shumë drejtësi, duke paguar më shumë ai që fiton më shumë. Rama tha se, qeveria ka krijuar një program krejt të ri për vitin ardhshëm dhe po bën një transformim rrënjësor të taksave, që është shpallur që përpara zgjedhjeve. Sipas kryeministrit, taksat do të ulen për mbi 95 për qind e atyre personave që kontribuojnë në buxhetin e shtetit.

“Një frikë nga një apokalips që na pret se, nafta do shkojë në stratosferë, do rriten cmimet e bukës, dhe në fund fare do bëhet i papërballueshëm çmimi i jetesës dhe Shqipëria do bjerë në humnerë. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar pamjet e publikut për një sërë ndryshimesh rrënjësore, në kulturën e qeverisjes, në qasjen ndaj qeverise dhe ekonomisë dhe financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare, në kurajën e qeverisë, për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, në papunësi, në varfëri, e vërteta është tërësisht ndryshe. E vërteta është se ne, në respekt të plotë të mandatit që kemi marrë të 1 milionë shqiptarëve, në respekt të vlerave dhe parimeve që mëshirojnë forcat e aleancës qeverisëse, kemi marrë përsipër ti japim fund një tradite gënjeshtrash të ëmbla për popullin dhe të formulojmë një kulturë të re për popullin, qytetarët, për cdo njeri që kontribuon me taksat e veta në buxhetin e këtij populli, duke parapëlqyer ilacin sado të hidhur të të vërtesës përkundër mjaltit të gënjeshtrës”, u shpreh  Rama.

Kryeministri Rama theksoi se janë të pavërteta deklarimet se me rritjen 10 lekë të çmimit të karburantit do të shtrenjtohet jetesa në vend. Sipas kryeministrit, qeverisje kaluar e rriti disa fish çmimin ndërsa qeveria e aktuale nuk do të lejojë që kjo rritje të japë asnjë impakt në çmime, përkundrazi do të sjellë impakt, sipas tij në pastërtinë e mjedisit. Rama e argumentoi kështu. “Pretendimet për naftën. Tërësisht e pavërtetë që rritja prej 10 lekësh që ne i bëjmë taksës së qarkullimit, do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve, rritje të përgjithshme, mbytëse të çmimit të jetesës është e pavërtetë, dhe kush flet. Flasin ata që kur e morën në dorë administrimin e kësaj shtëpie e kishin çmimin e naftës 600 lekë dhe kur e lanë shtëpinë në rrëmujë e prag djegies, e lanë çmimin e naftës 1 800 lekë. Imagjinoni, nga 600 në 1 800 lekë. Pra dhe përsëri në këtë aspekt nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria, për 10 lekë që shtohen jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve, për një mjedis më të pastër sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës dhe një taksë që nga vendet normale i shërben ndotjes së mjedisit, uljes së trafikut në qytete dhe shëndetit publik dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca të shkurtra brenda qytetit”, tha Rama.

Të pavërtetë e cilësoi kryeministri Rama dhe pretendimin se do të rritet çmimi i bukës. Në bashkëbisedim me qytetarët, Rama duke e cilësuar si turp deklaratën se çmimi i bukës pëson rritje sqaroi se përse çmimi do të mbetet sa ishte. “E pavërtetë historia e çmimit të bukës, turp i madh. Ndërkohë që të gjithë këtë propagandë të shfrenuar kundër këtij transformimi të shfrenuar e prodhon frika nga projekti, ky është projekt fitues, ky është program fitues. Vetëm 3% e furrave të bukës punojnë me naftë dhe ju siguroj dhe për ato nuk do të ndodhë. Si do të ndodhë kjo? Ju siguroj që dhe çmimet në tregun ndërkombëtar, ne nuk jemi si ata që nga 600 në 1 800 të çojmë çmimin e naftës. Ne nuk jemi si ata që dhe motin e keq ia faturojnë kundërshtarit. Pra dhe kur çmimi i naftës vijon me 3 pikë, jeta vazhdon kudo se po të ishin të vërteta këto do ishte zhbërë planeti. Është një taksë si burim për të ardhurat e buxhetit të shtetit që do shërbejë e ndikojë drejtpërdrejt për kushtet e mjedisit e dhe sistemin shëndetësor”. 

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/rama-takim-me-qytetar%C3%ABt-transformim-t%C3%AB-politik%C3%ABs-s%C3%AB-taksave#sthash.5Hnr1BoN.dpuf