Një 32 vjeçar, fatorino në linjën Sukth-Hamallaj po udhëtonte drejt fshatit Hamallaj, nga ku do të udhëtonin me furgon 15 të rinj futbollistë, të cilët do të vizitonin pikën turistike të Ardenicës. Fatmir B.-së, iu gjet me vete gjatë kontrollit një pistoletë TT së bashku me krehrin dhe 7 copë fishekë

DURRËS, 19 dhjetor 2013 – Uniformat blu bregdetare, me sa duket, synojnë të nxjerrin mësime nga tragjedia në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela”, përderisa thotë se ka bërë punë mirëfilli parandaluese të një ngjarjeje, e cila mund të kishte shkaktuar pasoja serioze në një grup të rinjsh sportistë në paraditen e 19 dhjetorit 2013. Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë Ornelë Cako njofton për një aksion të organeve të rendit të Shijakut. Forcat ligj-zbatuese gjatë një ndërhyrjeje të realizuar gjatë paradites së 19 dhjetorit 2013, bënë të mundur kapjen në kushtet e flagrancës të Fatmir B, 32 vjeç nga Sukthi, me një armë zjarri në brez; person ky i cili krahas precedentëve të mëparshëm penalë kishte edhe konflikte të freskëta. Ndërhyrja e policisë u krye në kohë duke bërë të mundur evitimin e pasojave të mundshme të rënda. 32 vjeçari, fatorino në një furgon pasagjerësh të linjës Sukth-Hamallaj po udhëtonte drejt fshatit Hamallaj me pasagjerë, aty ku edhe ishte pjesë e një konflikti me një drejtues furgoni. Nga Hamallaj do të udhëtonin me furgon 15 të rinj futbollistë, të cilët do të vizitonin pikën turistike të Ardenicës. Fatmir B.-së, iu gjet me vete gjatë kontrollit një pistoletë TT së bashku me krehrin dhe 7 copë fishekë. Rezultati në fjalë konsiderohet si punë mirëfilli parandaluese e një ngjarjeje, e cila mund të kishte shkaktuar pasoja serioze në një grup të rinjsh sportistë. Fatorinoja nga Sukthi është akuzuar e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale si plagosje me trupin e armës së zjarrit, kanosje me armë zjarri, prishje e rendit, armëmbajtje pa leje, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, disa plagosje me mjete të forta si shkop bejsbolli, etj., si dhe njihet nga ana e policisë si i përfshirë në disa konflikte, nga të cilët më i fundit ndodhur gjatë këtij muaji; ndaj tij janë ushtruar në vijimësi kontrolle fizike apo të banesës për shkak të tendencës në mbajtjen  e armëve të zjarrit, të cilat kanë rezultuar negative dhe vetëm më 19 dhjetor 2013 u bë e mundur kapja në flagrancë me armën e zjarrit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/