TIRANE, 18 dhjetor 2013 – Shefqet Kajmaku babai i kreut të Partisë Socialiste në Prezë të Tiranës është qëlluar me armë zjarri, mbrëmjen e sotme teksa ai po parkonte automjetin e tij. 55-vjeçari u transportua menjëherë në spitalin ushtarak, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Kajmaku është qëlluar nga një person me 3 plumba pistolete dhe njëri prej tyre e ka prekur në këmbë.
Kjo nuk është hera e parë që familja Kajmaku sulmohet nga persona ende të paidentifikuar. Gjatë fushatës zgjedhore të qershorit, Lavdi Kajmaku, kryetar i Partisë Socialiste në Prezë, denoncoi djegien e shtëpisë dhe biznesit të tij, duke i shkaktuar 200 mijë euro dëme.
Autorët kishin spërkatur me benzinë pjesën e shtëpisë dhe biznesit dhe më pas i kishin vënë flakën. Vatrat e zjarrit kanë qenë të shumta, por për fat të mirë, nuk kanë shkaktuar viktima, vetëm dëme të mëdha materiale.
Më vonë familja e Lavdim Kajmakut është cenuar sërish, kur persona të panjohur kanë qëlluar në drejtim të banesës së tij me kallash dhe i është vënë flaka dy makinave të parkuara në oborr.





