15 dhjetor 2013 – Të dielën e 15 dhjetorit, kryeministri Rama zbriti në Sarandë, duke udhëhequr një konferencë mbi të ardhmen e bregdetit, kryesisht pjesës së Jonit, nga Vlora e deri në Ksamil. Ai paralajmëroi ndërhyrje tritoliane për prishje ndërtimesh pa leje, edhe në Sarandë, qytetin ku më shumë se kudo, është bërë një batërdi urbane në bregdet. Por ndërsa Rama fliste mbi të nesërmen e Sarandës me turizëm elitar, dallëndyshja e parë që lajmëronte ardhjen e kësaj ‘pranvere’, ishte… një varrezë makinash & pikë grumbullimi skrapi, që mbiu pikërisht të dielën, ditën e konferencës, mu në hyrje të qytetit, mu në prag, mu aty ku është pikëtakimi i parë i çdo vizitori me të ashtuquajturën perlë të Jonit, në krah të urës së Gajdarit, ku më pas gjarpëron rruga në faqen e kodrës, ku ndodhen dy lagjet e para të qytetit.

2 vjet më parë, pasi moderova një konferencë për të ardhmen e qytetit organizuar nga Bashkia e Sarandës, Auron Tare më pyet nga SHBA ku ndodhej ato ditë nëse pas konferencës kishte nisur ndonjë aksion në terren me ruspë? – Jo, i thashë. – Atëherë, nuk ka asnjë vlerë ajo konferencë, – më tha. Dhe më mirë se të dielën, nuk mund të vërtetohej kjo, që ca punë në këtë vend, aty ku m… ka mbuluar gjithçka, pastrimi i të pëgërave të paligjshmërisë, ligjit të xhunglës, kaosit, degradimit urban e natyror ditën për diell, nuk mund të bëhet me konferenca.

/ E. Hoxha /GazetaDita/