·        Në gazetën “Vechernyaya Moskva” diva lirike shkroi shqip: “Gëzuar vitin e ri 2014. Inva Mula”

Nga Valeri Modestov**

Në “Svetlanovskiy Zall” [ose: Salla e Madhe] të Shtëpisë Ndërkombëtare të Muzikës [në Moskë] dha koncert primadona e skenës botërore operistike, sopranoja lirike unike, Inva Mula. Në shoqërimin e orkestrës filarmonike kombëtare të Rusisë me dirigjent Vladimir Spivakov, diva shqiptare interpretoi arie nga operat “Dasma / Martesa e Figaros" (Le nozze di Figaro) të Mocartit [Volfang (Wolfgang) Amadeus Mozart, 1756-1791)], “Lucia di Lammermoor” të Gaetano Donixetit [Donizetti, 1797-1848), “Pagliacci” të Leonkavalos [Ruxhero (Ruggero) Leoncavallo, 1857-1919], “Thaïs” dhe “Manon” të Masne-së [Zhyl (Jules) Massenet, 1842-1912], “Faust” të Guno-së [Sharl (Charles) Gounod, 1818-1893)]…

Belkantoja e saj lirike magjepsi me bukurinë e tingëllimit të lirë (soprano sfogato), me pasurinë e nuancimeve dhe teknikën virtuoze kolaraturë. Përveç zërit të saj unik Inva Mula zotëron edhe më shumë talentin e aktores dramatike. Këngëtarja e jetoi secilin part si ana vokale ashtu dhe nga pikëpamja skenike, njësoj sikur të ishte e rrethuar nga partnerët dhe dekoret.

Nuk është për t’u habitur që [regjisori] Zhan-Lyk Beson (Jean-Luc Besson), duke xhiruar filmin e tij të famshëm “Elementi i pestë” (frëngjisht “Le Cinquième élément”, anglisht “The Fifth Element”), nuk mund t’i rezistojë bukurisë dhe forcës së zërit Inva Mula dhe e ftoi për të dubluar zërin (fonogram) e alienes me lëkurë të kaltër Diva Plavalaguna. Mula interpretoi arien “Oh, Giusto cielo !..” nga opera “Lucia di Lammermoor “ dhe këngën “The Diva dance”…

Për këngëtaren e mahnitshme shqiptare Inva Mula në Rusi dinë pak, kryesisht specialistë. Kot. Talenti i saj magjeps, profesionalizmi i saj mrekullon, kurse jeta e saj është subjekt për roman. Gjykoni vetë.

Moskë. Vitet 50. Shqiptari i pashëm Avni dhe bukuroshja ruse Nina nga Izhevsk-u u njohën ndërsa studionin në konservatorin e Moskës. Emri i Avni Mulës tashmë ishte i njohur në Bashkimin Sovjetik, kënga shqiptare “Luleborë” e interpretuar prej tij transmetohej shpesh në radio dhe në pistat e vallëzimit. Nina dhe Avniu u dashuruan dhe u martuan, duke vendosur të jetonin dhe punonin në Shqipëri. A mund t’u shkonte në mendje atëherë se pas disa vitesh për shkak të ambicieve të tepruara të Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës do të ndërpriteshin të gjitha marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. 30 vjet që s’kishin të sosur! Thuajse menjëherë, Shqipëria u vetizolua nga pjesa tjetër e botës, duke u vetëshpallur “kështjellë , e rrethuar nga armiqtë”. Kështu iu vu kryq karrierës evropiane të Ninës dhe Avniut.

Shpejt u bënë me vajzë që e quajtën Inva (emri i babait, i lexuar mbrapsht). Talentin si këngëtare vajza e shfaqi herët. Prindërit investuan tek ajo gjithçka njihnin dhe dinin, dhe, natyrisht, ëndërronin ta shihnin në skenën botërore…

U lidhëm me telefon me Invën dhe ramë dakord për një intervistë për të përditshmen “Veçernjaja Moskva”. Në jetë këngëtarja është po aq e përsosur sa dhe në skenë, pa lënë përshtypjen se vuan nga maniera yjesh. Pyetja ime e parë kishte të bënte me koncertin.

– Pse e mbyllët koncertin me këngën e Sergej Rahmaninovit [1873-1943] “Është kaq bukur këtu…” [Zdjes horosho]?

– E interpretova në kujtim të nënës sime, Nina Mula, së cilës nuk i ra për short të realizonte talentin e këngëtares që i dha Perëndia madje përgjysmë.

– Kanton Jua mësoi nëna. A ishte pedagoge e rreptë?

– Shumë. Ajo mendonte se talenti dhe puna janë të pandarë.

– Prindërit tuaj janë diplomuar në Konservatorin e Moskës. A ka ndikuar kjo gjë përgatitjen tuaj vokale?

– Sigurisht. Dhe në përgatitjen vokale, dhe në atë muzikore, si dhe në formimin e shijeve e pikëpamjeve. Kultura ruse ishte e pranishme në shtëpinë tonë në gjithçka, madje edhe në ushqim. Nëna dhe babai më kanë treguar shumë gjëra për Moskën dhe Rusinë.

– A ka parte ruse në repertorin Tuaj?

– Për fat të keq, jo. Operat ruse destinohen kryesisht për soprano dramatike. Unë mund të këndoj, për shembull, në [operat] “Jolanta” dhe “Eugjen Onjegin” të Çajkovski-t [Pjotr Iliç, 1840-1893], por propozime të tilla nuk kam pasur.

– Si bashkëjetojnë te Ju dy gjenezat: shqiptare dhe ruse?

– Sipas mendimit tim, tejet paqësisht (buzëqesh). Me shqiptarët ndjehem shqiptare, kurse me rusët – ruse. Në situata të tjera më ndihmojnë temperamenti shqiptar dhe durimi sllav.

– Cilat ngjarje në jetën Tuaj krijuese i konsideroni vendimtare?

– Pjesëmarrja dhe suksesi në konkursin e parë të Plasido (Plácido) Domingo-s “Operalia. Konkursi botëror operistik” [Operalia. The World Opera Competition] në Paris në vitin 1993. Koncerti-gala finalist i konkursit u zhvillua në “Grand Opera”, dhe më pas ky program u përsërit në teatro të tjerë të Parisit, gjithashtu në Bruksel, Munih dhe Oslo. Ky turne tërhoqi vëmendjen e melomanëve, specialistëve, kritikëve, dhe filluan të më ftonin për të debutuar në teatro të ndryshëm operistikë. Që atëherë këndoj rregullisht në skena operistike evropiane dhe botërore, përfshirë La Scala, Wiener Staatsoper, Arena di Verona, Metropolitan, Los Angeles Opera, gjithashtu në teatrot e Tokios, Barcelonës, ​​Torontos dhe qyteteve të tjera, po i regjistroj në disqe.

– Kompozitori Juaj i parapëlqyer?

– Janë dy – Çajkovski dhe Verdi [Xhuzepe (Giuseppe), 1813-1901].

– Dirigjenti Juaj i parapëlqyer?

– Rikardo (Riccardo) Muti. Në interpretimin e operave verdiane askush nuk barazohet me të.

– Fëmijët kanë ecur në gjurmët tuaja?

– Vajza, që e kam quajtur Nina, është ende e vogël, kurse djalin e tërhiqte muzika, por pastaj ndryshoi mendim dhe tani po studion për shkenca politike në Londër.

– Ku dhe me kë keni vendosur të prisni Vitin e Ri?

– Është një festë familjare, prandaj do ta festoj në gjirin e familjes. Po planifikojmë të shkojmë në Dubaj. Me këtë rast, do të doja të uroja kolektivin e gazetës kryesore të Moskës dhe gjithë lexuesit e saj për jubileun – moshë serioze të jesh 90 vjeç! – gjithashtu Gëzuar Vitin e Ri, që po vjen. U uroj të gjithëve shëndet dhe mbarësi.

* Titulli në origjinal “Diva lirike shqiptare Inva Mula: “Kultura ruse ishte e pranishme në shtëpinë tonë në gjithçka” [transkriptimi në anglisht: Albanskaya opernaya diva Inva Mula: “Russkaya kultura prisutstvovalla u nas doma vo vsem], link:http://vmdaily.ru/news/2013/12/13/albanskaya-opernaya-diva-inva-mulya-russkaya-kultura-prisutstvovala-u-nas-doma-vo-vsem-227116.html

** (Në foto poshtë) Lindi në vitin 1945. Albanist, kritik teatri, filolog, publicist, shef katedre në  Institutin e Letërsisë, redaktor, punonjës i merituar i kulturës i Rusisë. Përkthyesi i Kadaresë, Agollit, Nolit, Çajupit, Kushtetutës së Shqipërisë. Autor i dispensës “Fjalë tё urta shqiptare dhe analoget e tyre ruse”. Ka bashkëpunuar me periodikun albanologjik “Dyrrah” të shoqatës “Pal Engjëlli” Durrës. Përkthimi me ndonjë shkurtim dhe sqarimet në kllapa janë të portalit “durreslajm.com”.

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/