23 nëntor 2013-(perditesuar) Tashmë janë 6 të dënuar që po kërkohen nga policia, pas arrestimit të Artur Gorës, i cili u kap teksa udhëtonte me një automjet të shërbimit "Taxi". Shtatë persona janë arrratisur nga burgu i Drenovës, në rrethin e Korçës, rreth orës 19:30 të ditës sotme. Sipas informacioneve paraprake, personat e arratisur, pjesa më e madhe të dënuar me burgime të përjetshme, mendohet se janë të armatosur. Të arratisurit janë:

1.    Admir Bahri Tafili, vitlindja 1975, lindur e banues në Shkodër;
2.    Fran Pal Marashi, vitlindja 1978, lindur e banues në Shkodër;
3.    Gëzim Gjergj Guri, vitlindja 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër;
4.    Gëzim Ndue Toma, vitlindja 1982, lindur e Banues në Dibër;
5.    Reiz Namik Haxhiraj, vitlindja 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës;
6.    Eduard Kujtim Lula, vitlindja 1982, lindur e banues në Përmet;
7.    Artur Demir Gora, vitlindja 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës.

Policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit, si dhe me zonën kufitare. Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEAS janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë.Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është ngritur një shtab pune me drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese në vend, që po koordinon të gjitha veprimet e policisë dhe agjencive të tjera shtetërore, për kapjen e këtyre personave.Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes, pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm. Në të njëjtën kohë, MPB u kërkon të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre, që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë në numrin 129.Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka thirrur një mbledhje urgjente me krerët e Policisë së Shtetit, të SHISH, me kryeprokurorin Lalla dhe Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, etj.

***

Mbrëmjen e sotme, 7 të burgosur janë arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.Mbeten ende të paqarta rrethanat, ndërsa bëhet me dije se të arratisurit nga burgu janë të armatosur.Të arratisurit e identifikuar janë Admir Tafili, Fran Marashi, Gezim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lila, Artur Gora.Admir Tafili është i dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e vëllezërve Petrjushi dhe dyshohet si autor i vrasjes së komisarit të policisë, Arben Zylyftari, Fran Marashi ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore.Të burgosurit kanë ç’armatosur rojet e burgut dhe janë larguar në drejtim të paditur. Të burgosurit janë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Forca të shumta të policisë kanë ngritur postoblloqe. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka thirrur një mbledhje urgjente me krerët e Policisë së Shtetit.