“Pogradecari” sllav 55 vjeç fejohet me një 20-vjeçare nga fshatrat e Korçës dhe përdor në biznesin ilegal të seksit në Peqin dhe qytetin bregdetar për ta shitur në Apenine
DURRËS, 23 nëntor 2013 – “Miqësi” bullgare-shqiptare për tregti të “mishit të bardhë” brenda vendit dhe Italisë nga Pogradeci dhe Elbasani, por prangosen në Durrës. Drejtoria e Policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se uniformat blu kanë finalizuar më 23 nëntor 2013 operacionin “Ndalesa e fundit”, duke goditur një grup kriminal që kryente aktivitet të trafikut të qenieve njerëzorë dhe shfrytëzimit për qëllime prostitucioni drejt Italisë. Këtë aksion e ka zhvilluar sektori kundër krimit të organizuar i Durrësit, mbështetur edhe nga e njëjta strukturë e Korçës. Forcat ligj-zbatuese bregdetare thonë se pas një hetimi tejet veprues disamujor, të shtunën, më 23 nëntor 2013, në orën 6:00 të mëngjesit, u arrestuan Alesio Çu., 25 vjeç, banues në Elbasan dhe Tomço To., 55 vjeç, me shtetësi bullgare, por me banim në qytetin e Pogradecit të qarkut të Korçës. Gjithashtu, u shpall në kërkim një tjetër shtetas shqiptar, identiteti i të cilit për shkak të vijimësisë së hetimit, nuk mund të bëhet publik, thotë policia e Durrësit. Të prangosurit dyshohen se identifikonin vajza; rekrutonin nëpërmjet formave të ndryshme të mashtrimit, gjoja për fejesë; i detyronin me dhunë të ushtronin prostitucion në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht në Durrës; trafikonin drejt Italisë të të rejave (mosha 16-20-vjeçare) për të furnizuar rrjetet e prostitucionit të tregut italian. Një nga rastet e fundit të veprimtarisë kriminale të këtyre personave është edhe ai i një shtetaseje 20-vjeçare nga fshatrat e rrethit të Korçës, me të cilën shtetasi bullgar është fejuar, celebruar, ka lindur një fëmijë dhe që së fundi e ka shfrytëzuar për prostitucion në disa qytete si Peqin e Durrës dhe më pas është orvatur ta trafikojë drejt Italisë. Hetimi do të vijojë për të hedhur dritë mbi të tjerë persona apo rrethana të rasteve të trafikimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





