DURRËS, 22 nëntor 2013 – Porti i Durrësit duhet të mobilizohet fuqishëm për të thithur pjesë të rëndësishme të projektit “Drejt një plan veprimi për strategjinë e BE-së në rajonin e Adriatikut dhe Jonit” me qëllim zhvillimin e bregdetit shqiptar në sektorët e transportit, peshkimit dhe turizmit, kështu ka deklaruar zëvendësdrejtori i drejtorisë ekzekutive të kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, Artjan Qirici. Më 14 nëntor 2013 në Bruksel u mbajt seminari për projektin “Blue Grouth”, me temë “Drejt një plan veprimi për strategjinë e BE-së në rajonin e Adriatikut dhe Jonit”. Të pranishëm ishin drejtues të porteve të Venecias (Itali), Tivarit (Mali i Zi), Koperit (Slloveni), Gumenicës (Greqi), Dubrovnikut (Kroaci) dhe Durrësit; përfaqësues të ministrive, universiteteve, shoqatave turistike, institucione të mbrojtjes së mjedisit nga Belgjika, Italia, Kroacia, Portugalia, Franca, Spanja, Greqia, Gjermania, Sllovenia, Shqipëria, Mali i Zi, Anglia, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia. Seminari u organizua nga Komisioni Evropian dhe në punimet e tij mori pjesë edhe zëvendësdrejtori ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici, njoftoi zyra e shtypit e APD sha. Projekti “Blue Grouth” ka nisur të vihet në jetë në vitin 2010, në kuadrin e një strategjie afatgjate për të mbështetur rritjen e qëndrueshme në sektorët e detit dhe detarisë. Sipas këtij projekti “detet dhe oqeanet janë drajverët (driver) që fshehin potenciale të mëdha me risi për rritjen ekonomike. Politikat e integruara detare ndihmojnë në arritjen e objektivave të strategjisë së Evropës, për një rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Nr. 2 i APD sha tha se qëllimi i këtij seminari ishte “promovimi i transportit të qëndrueshëm dhe konkurrues në detet Jon dhe Adriatik, të cilët përbëjnë një rrugë të rëndësishme për udhëtarët dhe mallrat në Ballkan”. Në fjalën e tij Qirici u shpreh se portet luajnë një rol vendimtar në kohezionin social dhe në sigurimin e vazhdimësisë territoriale. Ekziston një nevojë për të mbështetur zhvillimin e një kulture të “burimeve të biznesit efikas” në rajon, nëpërmjet përfshirjes aktive të faktorëve të shumtë dhe ndërlidhje më e madhe e biznesit, me sektorin publik dhe kërkimor. Disa sektorë kyç – të tilla si pajisjet detare, ndërtimi i anijeve, industria logjistike e varkave po rrezikojnë humbjen e levave konkurruese, ndërsa të tjerët, të tilla si “blu bio-teknologji”, kanë nevojë të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë. Në seminar u diskutua mbi bashkëpunimin e porteve, me qëllim harmonizimin e procedurave (si një dritare e vetme); mbi integrimin e sistemeve të të dhënave dhe shkëmbimin e informacionit për trafikun e udhëtarëve dhe mallrave; mbi uljen e ndikimit mjedisor, si dhe mbi zhvillimin e shërbimeve për autostradat e detit. Sipas Qiricit, porti i Durrësit duhet të mobilizohet fuqishëm për të thithur pjesë të rëndësishme të këtij projekti me qëllim zhvillimin e bregdetit tonë në sektorët e transportit, peshkimit dhe turizmit. Takimi i ardhshëm i këtij niveli do të mbahet me datë 6-7 shkurt 2014 në Athinë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/