LSI-a me Ministritë e Drejtësisë, Transportit dhe Infrastrukturës dhe drejtorinë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës po përgatisin paditë për dy ish-ministrat blu

DURRËS, 16 nëntor 2013 – Më 12 nëntor 2013 ka pasur një sherr ndër-durrsak deputetësh, të tre juristë. Spartak Braho, deputet socialist i Tiranës me banim në Durrës ka ndërmend të burgosë dy deputetë të opozitës, Sokol Olldashin, deputet i Fierit me banim në Durrës dhe Eduard Halimin, deputet i Durrësit me banim në Tiranë. Zgjedhja e anëtarëve dhe caktimi i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shkaktoi përplasje midis mazhorancës dhe opozitës. Deputeti i PS-së dhe LSI-së Spartak Braho akuzoi demokratët se ndërruan anëtarët dhe kryetarin e AKEP-it pas prishjes së koalicionit më LSI-në për t’u hapur rrugë paligjshmërive. Braho nuk ngurroi të paralajmërojë se do t’i dërgojë në qeli dy ish-ministra të PD-së, Sokol Olldashin dhe Eduart Halimin (shih videot në http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=267444 apo http://www.youtube.com/watch?v=JNdmda2ES6o). Në këtë sherr kanë marrë pjesë dhe dy deputetë durrsakë të opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, por nuk u vunë në shënjestër të Brahos. Në PD-në vendore ka spekulime se ky nuk është kërcënim mediatik, por real.

GAFA E PD VENDORE

Më 8 nëntor 2013 u zhvillua mbledhja për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit të Qarkut të Durrësit pas shkarkimit të z. Armand Teliti të PD-së. Ka qenë një gafë e rëndë e degës vendore blu që kishte propozuar përballë kreut të PS-së Alfred Mullaraj këshilltarin Rezart Tusha, ish-drejtor i burgut të Rrogozhinës. Më 10 tetor 2013, ministri i Drejtësisë i LSI-së Nasip Naço e kishte shkarkuar dhe çuar për ndjekje penale Tushën për një leje të veçantë për një të dënuar, “një leje e paligjshme, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve”. Dhe këtë ish-drejtor të penalizuar e mbrojti me fanatizëm, duke shkelur çdo normë ligjore deputeti Eduart Halimi, që e kishte emëruar vet kur ishte ministër i Drejtësisë (shih foton e 8 nëntorit 2013 në Këshillin e qarkut). Këtë fakt nuk e dinte PS-ja e Durrësit, por LSI-ja e mbante si fishek rezervë. Në këtë kohë Braho dhe Naço kishin filluar hetimet dhe për shkeljet e Halimit e të Olldashit (ky i fundit për për koncesionet në portin e Durrësit, që e mbulon Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe drejtoria ekzekutive të LSI-së). Kështu, 4 ditë më vonë, kur u bë mbledhja e komisionit të ligjeve, Braho nuk bëri ndonjë deklaratë populiste se së shpejti do të dërgojë në burg dy deputetët e Durrësit. Thjesht, konkretizoi zërat që qarkullonin në prokurorinë e qytetit bregdetar për hetimet ndaj dy “peshqve” të mëdhenj. I vetmi ngushëllim për Halimin është se ka provuar cilësinë e lartë të gatimit në burgun e Rrogozhinës (shih foton), ku mund të rraset bashkë me ish-drejtorin Tusha.

DEBATI

Sokol Olldashi (PD): Në pritshmëritë tuaja, çfarë do të sjellë emërimi i zotit Xhixho?

Milena Harito (PS): Këtë do ta bëjmë me të gjitha aktet e paligjshme që keni bërë ju.

Oerd Bylykbashi (PD): Kur është data që u shkarkuan këta persona që do të riktheni në detyrë?

Harito: Në maj të 2013.

Bylykbashi: Ka një afat për të bërë një rikthim.

Harito: Akti juaji ishte i paligjshëm.

Olldashi: Çështja është shumë e thjeshtë, në vazhdën e zënies së institucioneve, duhet të hiqet kryetari aktual i AKEP-it dhe duhet të rikthehet Pirro Xhixho, sepse në marrëveshjen e ndarjes së tortës së pushtetit mes PS-LSI, ky institucion, si të gjitha institucionet rregullatore, që përfshijnë tregje pronash apo xhiro prej 200- 300 milionë USD në vit, këto territore të pushtetit i rregullon më mirë LSI-ja dhe për këto arsye duhet që Pirro Xhixho të kthehet atje.

Eduart Halimi (PD): Ju thashë që të mos e jepni fjalën ministres se do t’ia nxinte faqen dhe më shumë qeverisë. Ngelet i tillë. Kjo mazhorancë apo një tjetër nuk e bën aktin e pavlefshëm. Mos e vini Parlamentin në vështirësi të tilla.

Spartak Braho (PS+LSI): Pirro Xhixho nuk i la që ta hante tortën ministri përkatës. Këtyre u mbeti në fyt ajo tortë dhe e shkarkuan në momentin që u prish koalicioni.

Halimi: Doni të realizoni një qëllim të caktuar, të vini Xhixhon aty? Bëjeni, por gjeni mënyrën se si bëhet. Nuk bëhet në mënyrë të kundërligjshme, sepse po vazhdoni me arbitraritet. Qëllimi është, siç tha zoti Olldashi, të ndajnë tortën.

Braho: Me dhimbje, por s’kemi ç’bëjmë, dhe meqë këtyre u kanë mbetur shumë torta pa ngrënë, tani po i qajnë, por ndërkohë ka ardhur koha që t'i vjellin këto torta. Dhe parafolësi me gjyzlykë (Sokol Olldashi) dhe zoti Halimi do të jepni llogari, jo vetëm për tortat që keni ngrënë, por do të jepni llogari edhe me burg. Edhe ti, edhe ai tjetri, që iku [Olldashi].

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/