Tiranë,16 nëntor 2013 –Deputeti socialist, Namik Dokle deklaroi dje, se historia e armëve kimike siriane ishte një mësim për tre burra: për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Aleksandër Arvizun. Në një status të tij në "Facebook", Dokle shkroi se:

"protestat e mijëra qytetarëve me thirrjen emocionuese 'Shqipëri e pastër' janë një mësim i madh për të gjithë, por më shumë për ata: 1. Për Edi Ramën; një kryeministër, sado i votuar të jetë, nuk mund të vendosë për jetën e popullit, pa pyetur vetë popullin", – nënvizon Dokle. Së dyti, ai tha se një mësim është edhe për Sali Berishën. "Nëse del 'në shesh' për të futur hundët në një kauzë të madhe për pisllëqe 'të vogla', populli të përzë nga sheshi, ashtu siç të përzuri nga pushteti", – tha ai. Dhe së fundi, Dokle mendon se kjo çështje e armëve kimike ishte mësim edhe për ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. "Slogani aq i bukur 'Vepro tani' duhet respektuar edhe atëherë, kur populli e përdor edhe për diçka që ty nuk të pëlqen. Sa për atë tjetrin, 'Lulin e vogël', nuk ia vlen të konsumosh as edhe një milimetër në 'Facebook'!", – shkruan Dokle.