16nëntor 2013- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka falënderuar Kryeministrin Edi Rama për refuzimin e armëve kimike të Sirisë. “Faleminderit Kryeministri im! Besoj se shumëkush sot është krenar; besoj se pakkush, ai që gënjeu, ai që mashtroi, ai që abuzoi, ai që vrau, dhe nuk është vetëm Sali Berisha ky, por një tufë sharlatanësh që vetëm nga kjo çështje nuk dinin, do të nxihet në turp. Në shumë turp. Vetëm një gjë Kryeministër: kurseve shumë! Kurseve ata që duhet të marrin koston historike të një refuzimi që do rëndojë shumë në këtë vend, thjesht për shkak të interesave për pushtet, pushtet gjithfarësh”, theksoi ai. Më herët, Braçe ka kërkuar ndjesë edhe për deklaratën e tij se me lëndën kimike sarinë mund të lash duart edhe me sapun. “Unë nuk jam specialist i këtyre armëve, kam pyetur e kam dëgjuar për to. Nëse dikujt, më profesional, artikulimi im për sarinën në gjendje të lëngshme, për më tepër në rrugë e në kushte të papërshtatshme shpjegimi, i duket jo korrekt, kërkoj ndjesë”, u shpreh Braçe.