5 nëntor 2013- Gratë parlamentare të cilat para pak ditësh krijuan Aleancën e grave deputete, u mblodhën sot në një  takim të parë  për të diskutuar rreth objektivave kryesore të punës së tyre të përbashkët, krijimin e një kuadri të brendshëm rregullues dhe iniciativat e përbashkëta që do të ndërmerren. Ndër objektivat kryesore të AGD (Aleancës se Grave Deputete), u përcaktua rritja e pranisë së gruas në politikë dhe vendimmarrje, punësimi i tyre në institucionet qeveritare, në ndërtimin  dhe forcimin e shtetit demokratik, mbrojtja e veçantë e grave kryefamiljare dhe nënave në nevojë, si dhe një vëmendje të gjithë hallkave të shtetit shqiptar ndaj  fenomenit te dhunës në familje. Duke falenderuar pjesëmarrjen e deputeteve në takim, Kryetarja e “AGD”, Mesila  Doda, vlerësoi rolin e grave  shqiptare të cilat çdo ditë  përballen me  problematika të ndryshme të dhunës në familje, si një plagë e rëndë që shqetëson shoqërinë shqiptare, ndërkohë që vuri  theksin në fuqizimin e tyre, rritjen e rolit dhe pranisë së tyre në politikë, krijimin e një pozite sociale preferenciale për gruan shqiptare, si dhe ngjizjen e një rrjeti solidar mes grave deputete në Kuvend, për të qenë zëri i atyre grave të cilat mund të kenë funksione vendimmarrëse, por edhe grave  të zakonshme dhe veçanërisht atyre në nevojë që kanë nevojë të ndjehen pjesë e shoqërisë sonë.

Gjatë bisedës së tyre, deputetja Olta Xhaçka mbështeti këtë iniciativë shumë të domosdoshme në kushtet kur pozicioni i gruas shqiptare në shoqëri, nuk është ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye duhet të bëhemi të gjitha  së bashku për të advokuar me një zë.

“Ne kemi përgjegjësi të shtuar si përfaqësuese të popullit, për të arritur këtë qëllim të gjitha  së bashku, përtej kufijve partiak, për të avancuar një qëllimi i cili është shumë i rëndësishëm, jo si deputete, por kryesisht si gra”, deklaroi Xhaçka.

Më tej, deputetet e AGD  u shprehën se krahas aprovimit të rregullores dhe deklaratës së përbashkët të grave pjesëtare, do të zhvillojnë takime periodike për koordinimin e nismave ligjore në dobi të gruas shqiptare, si dhe ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme për fuqizimin dhe konsolidimin e “AGD”, me miratimin e një kalendari konkret aktivitetesh.