Nga Gjergj Thanasi*
TIRANË, 5 nëntor 2013 – Në mediet botërore u përhap furishëm lajmi se Shqipëria ishte destinacioni më i mundshëm i lëndëve helmuese luftarake (LHL) të arsenaleve të diktatorit Bshar Al Assad. Sipas inspektorëve ndërkombëtarë, ky stok armësh kimike të Asadit shkon deri në 1300 tonë. Arsenali përbëhet nga iprit-i (gazi mustard), luisit-i, gaze policore si adamsit-i apo variante lakrimogjenësh si klorecetofenol-i, klorpikrina etj, por edhe LHL, më moderne e më të rrezikshme si zarina apo edhe gazi VX ,i cili është në sasi relativisht të vogla. Një sasi e tillë mjaft e madhe municionesh kimike dhe LHL-sh në ambalazhe (kontejnerë, bidonë, kuti etj.) teknikisht është një operacion mjaft i rrezikshëm dhe kërkon ekspertizë të lartë inxhiniere-teknike si edhe makineri e pajisje relativisht moderne, por edhe me kapacitet të madh për ta ulur në pak muaj procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian. Bie në sy që zhurma mediatike për Shqipërinë si destinacion i këtyre armatimeve kimike, në shumicën e rasteve, ka pasur si burim të parë mediet ruse sidomos ato gjysmë-zyrtare apo pranë regjimit të Putinit. Të tilla media në gjuhën angleze janë Moscow Times, Voice of Russia, apo mediet në rusisht si e përditshmja me mjaft influencë Kommersant. Si zakonisht, medieve ruse u mbajnë ison edhe mediet serbe, përmendim këtu B52 apo Gllas Pale.
ËNDRRA E VJETËR RUSE
Dëshira e Rusisë për ta bërë Shqipërinë destinacion të arsenalit kimik sirian të lë shije të hidhur. Për të përmbushur qëllimin e saj edhe në terrenin shqiptar, Rusia po luan fort për të neutralizuar çdo kundërshtim të faktorit politik apo të OJQ-ve ambientaliste shqiptare. Për krahun e djathtë punët janë të zgjidhura nga çiraku serb, që e komandon padronin e PD-së, që në kohën e Milicës dhe të famëkeqes OZNA. Shërbimi sekret shqiptar është i neutralizuar nga faktori “Ollga”, si edhe nga paaftësia profesionale e atij “minifundit” së dashurës së “vëllait të Majlindës”, që u emërua, ndër të tjera, për të markuar dhe neutralizuar faktorin”Ollga” në SHIK-un tonë. Në të majtën shqiptare rusët po aktivizojnë lidhjet e vjetra për të asnjanësuar çdo kundërshtim ndaj iniciativës së tyre për armët kimike siriane. Ambasadori i ri rus, që është bërë shumë aktiv për të devijuar qeverinë e re Rama nga kursi i saj perëndimor, po përdor formulën bijtë dhe bijat duhet të na shërbejnë njëlloj si baballarët e tyre, që u shkolluan në uçilishçe-t sovjetike. Të tilla ndërhyrje, në nivel zëvendësministreje apo deputeti, me kalimin e ditëve, po bëhen të zakonshme deri në bezdi. Në këtë kontekst, kujtoj edhe vizitën e fundit, të pa-pasqyruar nga mediet qendrore, të ambasadorit rus në bashkinë e Orikumit. Siç duket, rusët ende nuk e kanë harruar ëndrrën e vjetër të admiralit Kuznjecov dhe kundëradmiralit Katasanov për një bazë detare sovjetike në Pasha Liman. Varianti i armëve kimike siriane me destinacion Shqipërinë, të transportuara nga rusët, të shoqëruar nga një tufë “teknikësh” rusë në tokën shqiptare, është automatikisht një opsion i pamundur, thuajse, një akt tradhtie kombëtare.
NËNTOR-DHJETOR 1991, PESTICIDET GJERMANO-LINDORE
Një operacion i tillë është edhe më i dëmshëm sesa afera e pesticideve gjermano-lindore, që në nëntor-dhjetor 1991 hynë në Shqipëri si ndihma humanitare dhe shkaktuan një gjëmë ekologjike. Ky krim i transicionit u krye në bashkëpunim të ngushtë të së djathtës shqiptare (ministri i Financave) dhe të majtës shqiptare (kryeministri), ndërsa Romeo mjerani, drejtori i atëhershëm i doganave, u kënaq me një TV me ngjyra Camacrownryshfet. Faturën e paguan shqiptarët e mjerë në Han të Hotit, në Milot e Fier, ku u depozituan plehrat ndotëse nga Gjermania lindore. Që myteberëve të mësipërm nuk u hyri gjemb në këmbë, nuk do të thotë detyrimisht, se edhe çdo politikan, që mbush xhepin dhe helmon shqiptarët edhe sot edhe në të ardhmen. do ta kalojë lumin pa u lagur. Pikërisht për këtë personat, që do të firmosin leje hyrjet për helmet e Asadit, duhet të marrin parasysh edhe rrezikun potencial të ndëshkimit.
OPSIONI AMERIKAN
Hundëfutja ruse në transferimin në Shqipëri të arsenaleve kimike të Asadit është totalisht e papranueshme. Një iniciativë amerikane do t’ia vlente të merrej në konsideratë, por pa kompleks inferiorieti, pa servilizëm dhe duke i bërë oponencë profesionale. Historia e afërt na dëshmon se jo çdo iniciativë amerikane në Shqipëri ka rezultuar e suksesshme, madje, kur është kombinuar me hajdutërinë e politikanëve shqiptarë dhe ligësinë e fqinjëve ka rezultuar në shkatërrime masive e varre. Prania e “ekspertëve” amerikanë në Gërdec nuk e pengoi kataklizmën, që, ndër të tjera, i mori jetën edhe baxhanakut të Kryeministrit Berisha, i punësuar si hamall në kovaçhanën e Gërdecit (intervista e zonjës Liri Berisha në një të përditshme). Furnizimet e fishekëve plehra për qeverinë afgane me para amerikane rezultoi me një të vrarë në gjueti në Shqipëri dhe me tre thuajse adoleshentë të burgosur në Amerikë, me një fiasko gati 300 milionë dollarësh për Pentagonin. Artikulli nëNju Jork Tajms i gazetarit të mirënjohur Chris Chivers e bëri skandalin të njohur në shkallë globale. Komisioni hetimor i kryesuar nga senatori Uoksman nuk nxori ndonjë qime nga qulli. Shpresa e vetme për zbardhjen e të vërtetave të Gërdecit, fishekëve të Rinasit dhe grup-depove të Memajt-Romanatit, mbetet vetëm gjyqi në Amerikë i Packhouse, ortak i famëkeqit Diveroli, si edhe puna këmbëngulëse e gazetarit investigativ Guy Lawson.
WIKILEAKS 08 TIRANA 406
Asgjësimi i 16,5 tonë municioneve kimike shqiptare ishte plotësisht i suksesshëm si qëllim parësor i nismës Nunn-Lugar,d.m.th., nga pikëpamja e pakësimit të rrezikut nga armët e shkatërrimit në masë. Fatkeqësisht ky sukses u pasua nga një problem ekologjik për palën shqiptare. Firma gjermane Eisenman Termal Treatment e financuar bujarisht nga DTRA (Defence Threat Reduction Agency) bëri një punë jo të mirë. LHL-të shqiptare u asgjësuan, por mbetjet e rrezikshme, që rezultuan nga ky asgjësim me një mendjelehtësi kriminale u magazinuan në kontejnerë metalikë. Në më pak se dy vjet kripërat e metaleve të rënda si zhiva, arseniku e plumbi i gërryen kontejnerët metalikë dhe ndotën dyshemenë e betonit të magazinës. Sërish me para amerikane, u angazhua firma angleze Savant Enviromental, e cila neutralizoi ndotjen, ambalazhoi në fuçi plastike mbetjet dhe u dha kohë, 10-12 vjet (afati i ambalazhimit në fuçi) organeve shtetërore shqiptare për të neutralizuar përfundimisht trashëgiminë ndotëse të asgjësimit të arsenalit kimik hoxhist. Në Wikileaks-in 08 Tirana 406 ka më shumë hollësi për këtë operacion.
ITALIANËT
Fqinjët tanë italianë sot janë alarmuar për mundësinë e asgjësimit në Shqipëri të arsenaleve kimike të Asadit, njëlloj si në rastin e asgjësimit të 16,5 tonë LHL-ve shqiptare. Në rastin e parë, Giovanni Iannuzzi, drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane dhe gjenerali Gianfranco Tracci, eksperti më i mirë italian për luftën kimike, zyrtarisht i shprehën ambasadës amerikane në Romë, oficerit politik të saj, shqetësimin për një skenar terrorist apo të fatkeqësisë mjedisore për sa i përket arsenalit të LHL-ve shqiptare, si edhe mbetjeve kimike të rrezikshme, që rezultuan nga ky proces (shih faksimilen e një raporti nga ambasada amerikane në Romë, botuar nga Wikileaks-i). Në rastin e arsenaleve të Asadit ky rrezik potencial shumëfishohet. Hane Shah, hane Bagdad.
“PËRVOJA” DHE QAFËMOLLA
Arsenali modest shqiptar nuk ka të krahasuar me arsenalin e stërmadh të Asadit si sasi por edhe si cilësi, d.m.th, agjentët aktivë kimikë respektivë, përqindja e lëndës aktive, afati i magazinimit (shelf-life) etj. etj. Është deklaratë mashtruese ajo që bëjnë rusët, por jo vetëm për eksperiencën, që ka Shqipëria në shkatërrimin e municioneve kimike. Kjo eksperiencë dhe makineritë e përdoruara në bazën e Qafëmollës janë jo fort relevante për sa i takon arsenalit sirian. Veçanërisht teknologjia gjermane e përdorur në Qafëmollë është e papërshtatshme për sa u përket helmeve si zarina apo gazi VX, thjesht, për shkak të përbërjes kimike të këtyre dy LHL-ve. Fjala vjen, për helme si luiziti, adamsiti por edhe zarina, është i domosdoshëm ambalazhimi në kontenitorë me lamierë me përbërje titaniumi, që faktikisht nuk kanë qenë pjesë e teknologjisë së përdorur në impiantin paraindustrial të Qafëmollës. Pra, argumenti qendror për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri, thjesht, “fut ujë”!
LITARËT JASHTË TË BERISHËS
Nëse kalkulojmë edhe vektorë të tjerë si litarët që i la jashtë Berisha për qorrollepsjen e qeverisë Rama, atëherë tabloja bëhet më e zymtë. Këtu mund të përmendim mos-kontrollimin kapilar të territorit nga qeveria Rama si p.sh. “principata” e Lazaratit, zona të caktuara në Tropojë, Laç, Malësi e Mbishkodrës etj. etj. Tjetër vektor problematik është edhe krimi i organizuar i lidhur me segmente të politikës plus edhe faktit, që operacioni spastrues i ministrit Tahiri kundër korrupsionit në radhët e uniformave blu ende nuk ka përfunduar plotësisht. LHL-të siriane janë më të vlefshme se floriri për terrorizmin ndërkombëtar dhe për krimin e organizuar transnacional. Ruajtja e tyre e suksesshme në Shqipëri deri në shkatërrimin në Qafëmollë mund të kryhej nga forcat ligj-zbatuese shqiptare vetëm me ndihmën bujare amerikane dhe me impenjim maksimal shqiptar larg amatorizmit dhe veprimeve prej adoleshenti për famë dhe bujë. Është gjë e mirë të japësh kontribut aktiv për zbatimin e Rezolutës nr. 2116 të OKB-së, por me mend në kokë për të mos dëmtuar Shqipërinë, shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.
FATMIR MEDIU DHE FANTAZMA E BANKOS
Qeveritarët e sotëm nuk kanë pse të imitojnë si majmunë ish-at e kallëpit Berisha, Mediu, Imami etj. Kryeministri Rama nuk ka në kurriz ndonjë hipotekë krimi, që t’i duhet të “blejë indulgjenca” tek amerikanët. Unë besoj se as ai, as Ministrja Kodheli nuk kanë hyrë në ato zyra shteti për të vjedhur. Kështu, nuk kanë pse të pranojnë qorrazi helmet e Asadit në këmbim të mbylljes së syrit për hajdutëri në Shqipëri. Fundi i fundit, Fatmir Mediut nuk i bënë fajde as helmet e Qafëmollës, as eksporti i raketave kineze MANPAD të klasit Vangard, as vizitat e Kenneth Budziski-t në Gërdec e Rinas, as libanezi Al Masri në aeroportin ushtarak të Kuçovës. Përsëri ai do të ballafaqohet në gjykatë me fantazmat e viktimave të familjes Durda e jo vetëm njëlloj si Makbethi me fantazmën e Bankos.
ÇMIM MAKSIMAL PËR SAKRIFICËN E ALEATIT TË VOGËL
Nëse do jetë e domosdoshme, për arsye të larta shtetërore, të pranohet një sugjerim hipotetik amerikan për t’i asgjësuar LHL-të siriane në Shqipëri, është detyrë patriotike për Kryeministrin Rama dhe Ministren Kodheli të kërkojnë nga aleatët strategjikë amerikanë një çmim maksimal për sakrificën e aleatit të vogël shqiptar. Po ashtu do ishte me vend të merrej, krahas ekspertizës amerikane, dhe ajo evropiane si p.sh. suedeze, norvegjeze etj. Eksperienca zvicerane duhet të jetë veçanërisht e mirëpritur. Kujtoj këtu eksperiencën veçanërisht pozitive në kuadrin e programit VETOXA (Vernichtung toxischer Chemikalien in Albanien). Me një kosto shumë më të vogël se programi amerikan i Qafëmollës, firma zvicerane MGC Plasma AG e realizoi me sukses asgjësimin e një pjese të arsenalit kimik dhe kundërkimik hoxhist (shih faksimilen e një artikulli). Po ashtu si pjesë përbërëse e këtij çmimi modestisht do t’i sugjeroja dyshes Rama-Kodheli, që të përmirësohej infrastruktura e zonës me paratë e projektit. Fjala vjen edhe sot e kësaj dite rruga për në Qafëmollë është pjesërisht e paasfaltuar.
STOQET “MADE IN USA” DHE MBROJTJA KUNDËRKIMIKE SHQIPTARE
Fare mirë Amerika me stoqet e saj të kohës së Luftës së Ftohtë mund të pajiste dhe stërviste një nënrepart (kompani) të ushtrisë shqiptare për mbrojtje kundërkimike. Një aset i tillë do i bënte nder ushtrisë shqiptare dhe do të përdorej me sukses si kontribut shqiptar në NATO dhe në misionet paqeruajtëse, por mund të përdorej në rast emergjencash-fatkeqësish me ndotje kimike edhe në Shqipëri. Këtu mund të përmendet shembulli i kompanisë speciale sllovake për mbrojtjen kundërkimike. Pajisjet kundërkimike tridhjetëvjeçare që dergjen në bazat amerikane në Gjermani janë më se moderne për ushtrinë shqiptare në funksion të këtij projekti. Për shkak të tërheqjes nga Afganistani, Amerika po çon për skrap mijëra mjete të blinduara të klasitMRAP. Ajo po dhuron për vendet mike qindra prej tyre me kusht pagimin e shpenzimeve të transportit nga vendi pritës. 35-40 mjete të tilla të tipave OSHKOK, BAE Cayman apo edhe RG 35 me pjesët e këmbimit përkatëse do të ishin më se të mjaftueshme për të pajisur një batalion reagimi të shpejtë. Projekt ky, që edhe për arsye korruptuese, prej vitesh po dergjet sirtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë rast mjetet e blinduara do t’i kishim qyl (shpenzimet e transportit do t’i mbulonin aleatët amerikanë) dhe nuk do të harxhoheshin miliona euro për të blerë mjete të blinduara lehtë, cilësisht inferiore, të prodhimit francez, blinda Lince italiane apo furgonë të blinduar polakë të klasit Dzik. Në radhët e ushtarakëve shqiptarë ende ka profesionistë të aftë, që mund të sugjerojnë shumë më tepër dhe më mirë se ç’u sugjerua në këto rreshta. Të tillë specialistë ekzistojnë, që nga ato të kohës së Vietnamit e deri te kolonel Fadil Vucaj apo Alfred Madhi. I mbetet politikës të vendosë!
* Autori është nga Durrësi, gazetar investigues dhe analist për problemet e sigurisë i medieve të huaja. Shkrimi i është dërguar “Dyrrah”-ut në versionin e plotë.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





