TIRANE,4 nentor 2013 – Kontrata e qeverisë me agjensinë "Crown Agents", ishte fokusi i mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ditën e sotme. Në fjalën e tij kryetari i PD-së Lulëzim Basha e cilësoi këtë kontratë të paligjshme dhe të errët. Sipas Bashës, në kontratë nuk sqarohet se çfarë do të kryejë konkretisht agjensia "Crown Agents" me doganat, por vetëm çfarë do të përfitojë kjo agjensi. 

“4,5 milionë euro në vit do ti paguajë qeveria shqiptare kësaj kompanie. 400 mijë euro do ti meren arkës për të paguar makina luksi. Nevoja për këtë marifet përputhet dhe me këto kompani që ka gjetur të kontraktojë zoti Rama. Ka gjetur tenxherja kapakun. Kontrata e qeverisë me "Crown Agents", është e errët e paligjshme dhe e papranueshme. Në të sqarohet vetëm një pjesë e asaj çfarë do përfitojë kjo agjensi, por jo çfarë do të bëjë. Qeveria ende nuk e ka paraqitur në Parlament shtojcën C. Nuk bazohet në asnjë studim konkret për problemet e doganave shqiptare”,- deklaroi Basha. 

Ai theksoi se BE disa herë është shprehur jo në favor të ndërhyrjeve të tilla. Sipas tij qeveria po kërkon ta kalojë kontratën në Kuvend me proces të përshpejtuar. 

“Ndërhyrje si këto në dogana na kthejnë dekada prapa në përvoja Afrikane. Ose ky kryeministër nuk e njeh vendin e tij, ose nuk ka gjetur mënyrë tjetër për të sajdisur miqtë e tij të "Crown Agents.Pse me procedure të përshpejtuar, çfarë urgjence ka. Kush po i pret me urgjencë këto para që Rama ka vendosur t'ia marë arkës së publikut?. Ne do t'i shkojmë deri në fund kësaj aferre me përmasa europiane. Paligjshmëria është lufta e zezë që ka ndërmarë Rama. Lufta e zezë e Ramës kundër ligjit nuk mund të jetë lufta finale”,- u shpreh Basha.

Ai akuzoi qeverinë Rama se ka ulje drastike të të ardhurave dhe se vetëm tre muajt e fundit kanë humbur miliona dollarë. Ai theksoi se opozita e ka në qendër të vëmendjes çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE. 

“Askush nuk mund të shpresojë se mund të marë peng shqipërinë demokratike. Pyetjet janë shumë, pyetjet po shtohen dhe ne nuk do tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimet tona si opozitë, ky është integrimi europian. Jemi para një ngjarje historike siç është marja e statusit. Në të gjitha takimet tona e kemi integrimin kryefjalë të bisedave dhe shqetësimeve. Nga ana tjetër qeveria nuk flet fare. Integrimi po bëhet një fjalë e huaj për Ramën. Dashtë zoti mos ketë zgjedhur paligjshmërinë para integrimit”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulëzim Basha.