TIRANE, 2 nëntor 2013 – Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja u është përgjigjur akuzave të bëra nga opozita për punësim të kunatës së tij në Dogana.
“Eranda Çuçi nuk është emëruar rishtazi në administratën doganore, por ajo është një eksperte në fushën e doganave, tashmë prej 23 vitesh. Ajo është punësuar duke iu përgjigjur thirrjes së konkursit të hapur, të organizuar për herë të parë nga Ministria e Financave, qysh në vitin 1991, fill pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik në degën ‘Sferë Qarkullim’”, tha Beqja.
Edhe ministri tjetër i PS, Ilirian Celibashi, u është përgjigjur akuzave të PD-së.
“Kunata ime, bashkëshortja e vëllait tim, në vitin 1999, kur sapo ishte diplomuar, së bashku me dhjetëra studentë të kohës, në përgjigje të një ftese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, mori pjesë në një konkurs për të fituar një të drejtë për punësim në shërbimin doganor. Nga konkurrimi doli në 10 më të mirët që fituan të drejtën të punonin në shërbimin doganor. Ka filluar punë në këtë shërbim në vitin 2000, në doganën e Kapshticës. Në vitin 2001 është transferuar në Doganën e Tiranës. Njohja me vëllanë tim dhe më tej bashkëjetesa e tyre daton në vitin 2002. Pra shihet qartë se kunata ime është në atë detyrë në mënyrë të pandërprerë që prej 14 vitesh, përfshi këtu edhe 8 vitet e qeverisë së PD, pa asnjë lidhje a ndërhyrje timen!”, sqaron Celibashi.





