KORCE, 1 nëntor 2013 – Partia Socialiste po zhvillon në Korçë mitingun përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit, kur do të votohet kreu i ri i Bashkisë së Korçës, për shkak të emërimit të Niko Peleshit, në postin e zv/kryeministrit të vendit.
Në mitingun e Korçës është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Sipas kryeministrit Rama, përveç socialistëve edhe të djathtët të votojnë Sotiraq Filon,pasi është një votë për të ardhmen dhe për të çuar më tej projektin e ish kreut të Bashkisë, Peleshi.
"Mitingu i sotëm është njësoj si mitingu i zgjedhjeve të 23 qershorit, fitorja e Sotiraq Filos nuk diskutohet, sepse Korça do të dijë të votojë projektin e së ardhmes, kundërshtari vetëm emrin ka të duhur.Socialistët kanë treguar se nuk qeverisin për veten, do të ndërtojmë një Shqipëri ku të rinjtë të mos varen nga mbiemri” – u shpreh kryeministri Rama.
Bëhet e ditur se pas mitingut, Kryeminstri Edi Rama do të zhvillojë një mbledhje qeverie në qytetin e Korçës.
Zgjedhjet për kryetar Bashkie në Korçë do të mbahen ditën e diel, ku Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim garojnë bashkë me kandidatin Sotiraq Filo i cili mbështetet në këtë garë edhe nga FRD, e cila iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së për bashkëpunim, ndërsa demokratët me Sotiraq Sratobërdhën.





