TIRANE, 1 nëntor 2013 – Nëse Zvicra do të luajë miqësore ndaj Koresë së Jugut ose Norvegjia ndaj Danimarkës apo Italia kundër Gjermanisë, askush nuk ankohet (ndonëse duhej të ishte ndryshe) se përse Shqipëria luan me një skuadër të një niveli disi më të ulët si Bjellorusia. Paçka se FSHF ka patur kohë të mjaftueshme dhe ka edhe personel me bollëk që merren vetëm me Kombëtaren, përsëri caktimi i miqësores së 15 nëntorit erdhi si me urgjencë dhe vetëm dy javë nga dita e zhvillimit të kësaj ndeshjeje. 

Megjithatë, edhe kjo është e tolerueshme, por ajo që "trondit" më shumë në këtë histori është fakti se të paktën sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të Federatës bjelloruse në internet, takimi mes Bjellorusisë dhe Shqipërisë do të luhet as më shumë dhe as më pak në një resort në Belek të Turqisë, raporton Panorama-Sport.
Bjellorusia do të akomodohet në "Iberostar Bellis Hotel" dhe pikërisht aty, në "Bellis Sport Center", në një fushë stërvitore normale, pa stadium, do të presë kuqezinjtë e drejtuar nga Gianni De Biasi. 

Kjo tregon edhe një herë seriozitetin me të cilin e ka marrë federata këtë miqësore, pasi s’ka logjikë që një ndeshje miqësore zyrtare për më tepër, të lejuar nga FIFA dhe UEFA, në një datë të lirë për të gjitha vendet, Shqipëria të mos bëjë një ndeshje normale, në një stadium kudo. 

Në këtë mënyrë Kombëtarja trajtohet më keq se një klub, pasi nuk ka ndodhur kurrë më parë (hiq rastet kur trajnerët kryesisht të huajt kanë bërë zbore të ndryshme) që në një datë zyrtare kuqezinjtë të degdisen në një resort turistik, larg syve të kamerave, larg mediave dhe për më tepër larg tifozëve.