KRUJE, 1 nëntor 2013 – Aksioni i policisë për prishjen e furrave të gërqeles në Krujë ka shkaktuar tensione mes efektivëve të policisë dhe pronarëve të furrave. Policia ka prishur 10 furra gërqeleje në këtë zonë, me argumentin e ndotjes së mjedisit, ndërsa pronarët kanë kundërshtuar prishjen, duke thënë se furrat janë i vetmi burim të ardhurash për ta. Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat njërin prej pronarëve, i cili ka kundërshtuar forcat e rendit.
Kryeinspektori Ergys Agaçi bëri të ditur se në Krujë nuk do të lejohet funksionimi i asnjë furre gëlqereje. Sipas tij, furrat do të lejohen vetëm pas malit të Krujës. Aksioni për prishjen e furrave të gëlqeres po zhvillohet nga INUK dhe Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Rendit.
Pak javë më parë Ministria e Mjedisit pezulloi punën e 109 furrave gëlqereje në Fushë-Krujë. Sipas këtij institucioni, këto biznese nuk dispononin dokumentacionin ligjor dhe nuk plotësonin kushtet mjedisore.
Ministria e Mjedisit bën me dije dhe kërkon mirëkuptimin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet të tillë, që nisma për zhvendosjen e tyre nuk është ndërmarrë në dëm të biznesit dhe sipërmarrjes private, por për t'u siguruar banorëve të zonës një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.
Për furrat e gëlqeres në Fushë-Krujë, ambientalistët shpesh kanë dhënë alarmin, edhe pse në këtë zonë nuk janë bërë ndonjëherë publike shifra për ndotjen nga djegia e gomave që përdoren nga këto furra. Sipas specialistëve, djegia e gomave të përdorura çliron në ajër dy helme të rrezikshëm dioksinë dhe furanë. Ato kanë një rreze të gjerë veprimi, që mund të arrijë deri në 50 kilometër. Pra, ndotja nuk bëhet vetëm në Krujë, por edhe në Tiranë dhe zonat përreth qytetit. Përveç këtyre dy helmeve, në atmosfere çlirohen edhe komponentë të tjerë, siç janë grimcat e imëta pm10 dhe pm2.5, këto janë përgjegjëset kryesore për të ashtuquajturën ndotje mjedisore. Prej vitesh qyteti i Fushë-Krujës vuan pasojat e kësaj 'masakre' mjedisore.





