DURRES, 1 nëntor 2013 – Inspektorë të INUK dhe INUV të mbështetur dhe nga policia e rendit të qytetit të Durrësit kanë ndërmarrë sot një aksion për prishjen e kompleksit turistik “Kamelia” pranë urës së Dajlanit. 

Kompleksi turistik përfshin një lokal, bar restorant dhe një hotel i cili ishte ende në ndërtim.

Sipas zëdhënësit të bashkisë, Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Durrësit ka shembur disa ndërtime pa leje që ishin ndërtuar poshtë mbikalimit te ura e Dajlanit.

Ndërtimet në fjalë kishin zaptuar gjithë hapësirën publike dhe për këtë arsye është marrë vendimi për shembjen e tyre.

Fadromat kanë shembur ndërtimet e ngritura me destinacion hotelerie.

Drejtori i inspektoriatit ndërtimor të bashkisë Durrës Artur Çela tha se në këtë kompleks do të prishen të gjitha ndërtimet që janë bërë pa leje, ndërsa aksioni do të vazhjdojë me prishjen e ndërtimeve të tjera pa leje në zona të tjera të Durrësit duke vazhduar kështu me lirimin e hapësirave të tjera publike.