Gjithnjë e më shpesh nëpër lokale dhe disko-klube mund të provohen interpretime të koktejeve të njohur si “Mohito”, “Sex on the beach”, “Tequilla sunrise”, të transformuar në “Rakito”, “Raki on the beach” dhe “Rakia sunset”

SOFJE, 31 tetor 2013 – Pavarësisht se është një pjesë e pandarë nga tavolina tradicionale, banakierët ballkanikë përpiqen ta përfshijnë rakinë në jetën moderne të natës. Gjithnjë e më shpesh nëpër lokale dhe disko-klube mund të provohen interpretime të koktejeve të njohur si “Mohito”, “Sex on the beach”, “Tequilla sunrise”, të transformuar në “Rakito”, “Raki on the beach” dhe “Rakia sunset”, raporton radioja bullgare BNR. Rakia nuk është vetëm një pije tradicionale për ballkanasin, por dhe ilaç i provuar, psikoterapi e përditshme dhe shkak i shpeshtë për një krenari kombëtare. Për këtë u bindën vizitorët e edicionit të parë të Festivalit Ballkanik të Rakisë, i cili u zhvillua nga 24 deri më 26 tetor në Sofje, ku vizitorët shijuan mbi 150 lloje rakish.

Bullgarët: “Me raki mund të gatuani pothuajse çdo gjë”

Kuzhinierierja profesioniste Sidonia Radeva thotë: “Bullgari e konsumon rakinë në fillim të ngrënies, si një aperitiv me meze të ndryshme: sallata, turshi e të tjera. Kurse te shoqëritë e meshkujve detyrimisht mishra të pjekura. Me raki mund të gatuani pothuajse çdo gjë. Për shembull po t’i vini fasules një lugë me raki do të shikoni sa më shpejt do të zihet. Në qoftë se bëni supë me mish viçi, vini dhe një lugë me raki, ashtu mishi do të zbutet më tepër. Në qoftë se keni mish të gatshëm dhe doni t’u tërhiqni vëmendjen mysafirëve të cilët i keni ftuar, ngrohni rreth 30 miligramë raki, derdheni mbi mishin dhe e digjeni në tavolinë..”

Turqit: “Nuk jemi në xhami, na jepni të pimë”

Burçak Desombre, someliere turke me certifikatë nga “The Court of Master Sommeliers”, thotë: “Te ne në Turqi rakia pihet në përpjesëtime të mëdha me meze të ndryshme si sallata, djathëra, shalqin, pjepër dhe më shpesh nën tingujt e muzikës tradicionale. Ne kemi shumë shaka dhe shprehi, lidhur me rakinë, si për shembull “Dua të jem si peshk në shishe me raki”, “Nuk jemi në xhami, na jepni të pimë”. Kur kemi ndonjë problem, shpesh themi “Le të drejtohemi për këshillë drejt më të vjetrit, më të madhit”, që është aluzion për shishen me raki. Duke i telefonuar ndonjë miku të vjetër themi “Le të takohemi në raki-meze”, që supozon një takim prej 10 orëve me të ngrënë e të pirë.”

/Për. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/